Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është duke kërkuar nga Ministria e Arsimit që mësimi të kthehet në normalitet, të zgjatën orët mësimore siç kanë qenë, në mënyrë që viti shkollor 2020/21 të përfundojë më 30 qershor.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë për Telegrafin se tashmë kanë diskutuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe se vendimi pritet të merret gjatë kësaj jave.
“Ne kishim një takim edhe të premten me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci ku është thënë se gjatë kësaj jave do të mbahet një mbledhje me drejtoritë arsimore, dhe po ashtu me task forcën dhe do ta vlerësojnë në tërësi situatën, ku do të arrijnë marrëveshje të përbashkët që sistemi arsimor të kthehet në normalitet. Pra, klasat që kanë qenë të ndara në grupe të rikthehen siç kanë qenë, orët mësimore të jenë si dikur dhe të gjitha këto angazhime po bëhen dhe besoj që do të realizohen në mënyrë që në muajin qershor të kryhet edhe viti mësimor”, ka deklaruar Jasharaj.
“Gjithçka ka mbetur të vendoset gjatë kësaj jave. Në fund të qershorit ish dashtë të përfundojë viti mësimor, pasi që edhe sipas kalendarit mësimor kështu thuhet që 30 qershori do të duhej të ishte përfundimi i këtij viti shkollor. Besoj se task forca ku është përfaqësuar edhe SBASHK-u do të ketë takime me drejtoritë arsimore, e ministren e arsimit dhe ata do të vendosin që në komunat e Kosovës mësimi të kthehet në normalitet, dhe besoj që do të bisedohet edhe që viti shkollor të kryhet siç thotë kalendari”, theksoi ai.
I pyetur se sa do të arrijnë të kompensohen orët e humbura mësimore në qoftë se viti shkollor përfundon më 30 qershor, Jasharaj tha se mësimdhënësit do të japin maksimumin gjatë këtij muaji.
“Në përgjithësi, disa komuna kanë punuar edhe të shtunave dhe me kthimin në normalitet, kthimin e orëve në minutat e plota që ka qenë 40 – 45 minuta, dhe me bashkimin e grupeve në paralele besoj që mësimdhënësit do të japin maksimumin këtë muaj dhe do të jetë mjaftueshëm që viti mësimor 2020-2021 të përfundojë në qershor”, deklaroi mes tjerash Jasharaj.
Vlen të përmendet se Kosova ka lehtësuar masat antiCOVID javë më parë, ndërkohë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19, ku prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 80.803 doza të vaksinës.
Raste aktive janë 1.074. /Telegrafi/