Nga 170 euro aktualisht, paga minimale në Kosovë pritet të rritet në 250 euro. Këtë premtim e ka thënë vetë shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. “Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe rritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata të cilët kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit”, ka deklaruar Kurti.
Këtë premtim, kryeministri e ka përfshirë edhe në programim qeverisës.
Mirëpo, me këtë kurrsesi nuk po pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai thotë se një vit më parë, Kurti kishte thënë diçka tjetër dhe sipas tij, paga minimale duhet të jetë 350 euro. “Kryeministri e premtoi një pagë 250 euro, vetëm një premtim sikur ai i marsit të vitit të kaluar Po ky kryeministër premtoi që paga minimale duhet të jetë 350 euro. Ai ka pohuar vitin e kaluar se në ‘në pagat që marrin në kompanitë private kosovare, nuk mund të paguajnë as faturat e rrymës, ujit dhe kreditë”.
Azemi ka thënë më tej se do të jenë kritikë edhe ndaj qeverisë Kurti, në rast se nuk trajtohen si duhet punëtorët e sektorit privat.
“Përveç kontratave që nënshkruan publiko-private, të gjithë punëtorët e tjerë nuk do të nënshkruajnë pagën nën 350 euro. Në shumicën e rasteve po jemi të pranishëm ku punëtorët e kompanive private po nënshkruajnë kontratë pune me pronarë të kompanive. Deri më tani, nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë nën pagën 350 euro”. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Berat Rukiqi, u shpreh se janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh kur të vendoset paga minimale.
Sipas tij, është një metodologji me të cilën përcaktohet paga, duke përfshirë faktorin e rritjes ekonomike, punësimit në vend, kostoja e jetesës e të tjera. “Shumë pak kompani në Kosovë kanë mbetur me pagë minimale. Është rritur kostoja e punës. Pak kompani kanë mbetur me pagë 200 euro, sepse askush nuk vjen më të punojë me këtë pagë”. Përveç kësaj, Rukiqi shtoi se në Kosovë, së pari duhet të luftohet informaliteti në punësim, pasi një kontratë formale do t’ua rrisë të drejtat dhe mirëqenien punëtorëve.
Mbi 100 milionë euro për veteranët
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se paralajmërimi për rritjen e pagës minimale në Kosovë nga qeveria, nuk është vendim që i përmbush kriteret e ligjit për rritje të pagës dhe kjo do të ketë ndikim në buxhetin e shtetit mbi 100 milionë euro në nivel vjetor.
Sipas tij, janë mbi 40 mijë veteranë të luftës në vend, të cilët paguhen me këtë pagë dhe do të varen kryesisht prej buxhetit të vendit.
“Paga duhet të rritet vetëm në bazë të ligjit, edhe ligji mund të ndryshojë. Por paraprakisht duhet të ndryshojë ligji e më pas të ndryshojë paga minimale dhe të rritet edhe paga”. –
Shahini vlerëson se paga minimale në Kosovë nuk mund të jetë mbi 210 euro në asnjë formë, duke iu referuar ligjit dhe kritereve për paga, dhe vetëm në rast të ndryshimit të ligjit, paga minimale mund të rritet. Sipas Shahinit, paga minimale nuk ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarit në vend, për shkak se paga minimale në Kosovë është një numër i vogël në krahasim me numrin më të madh të punëtorëve në sektorin privat që marrin pagë më të lartë.
“Në disa biznese pa dyshim se do të ketë ndikim negativ, për shkak se nuk kanë potencial t’i mbajnë të gjithë punëtorët në punë me pagën e re, kurse për disa të tjera, do të jetë e padukshme për shkak se pagat tashmë janë më të larta. Me rritjen e pagës minimale, sfidë do të kenë mikrondërmarrjet dhe ekonomitë familjare, të cilat pasi ndodhen në krizë, do të detyrohen që t’u japin punëtorëve pagë më të ulët sesa ajo e rëndomta”.
Rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 2011. Sipas ligjit, duhet që për çdo vit të ketë rritje të pagës minimale në bazë të rritjes ekonomike të vendit, edhe pse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, për shkak të mospajtimeve politike.
Sektori privat, ndër vite, nuk ka arritur të ndjekë trendin e rritjes së pagave, siç ka ndodhur në sektorin publik. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2012, paga neto mesatare në sektorin publik ka qenë 384 euro, kurse sipas të dhënave të fundit, ajo ka arritur në mbi 500 euro. Në sektorin privat, paga neto mesatare në vitin 2012 ka qenë 333 euro, kurse sipas të dhënave të fundit, ajo nuk arrin më shumë se 350 euro.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011. /Monitor/