Kur vjen koha që brazilianët të zgjedhin se kë do ta shikojnë në fushën e futbollit këtë muaj, Neymarin apo Kylian Mbappen, Lionel Messin apo Cristiano Ronaldon, përgjigjja mund të jetë befasuese. Për shkak të një numri të pazakontë rrethanash, do të jetë Kampionati Evropian që do të ketë më shumë shikues në Brazil sesa Copa America, edhe pse Brazili është edhe organizator i turneut të Amerikës së Jugut në rrethana krejt të ndryshme.
“TV Globo”, në të cilin kanë qasje 99.47% të brazilianëve, nuk i ka të drejtat për ta transmetuar Copa American këtë vit, por i ka të drejtat ekskluzive për t’i shfaqur ndeshjet e “Euro 2020” në kanalin e tij falas dhe platformat digjitale. Copa America do të jetë në transmetuesin e tretë më të popullarizuar të vendit dhe rivalin e largët të TV Globos, TV SBT.
“Nëse Portugalia e Franca shkojnë shumë larg, mund të ketë shumë vlerësime të mira për Globon, madje edhe më të mira sesa herën e fundit”, tha Mauricio Stycer, një analist i cili ka shkruar disa libra në industrinë televizive në Brazil. “Do të ketë më pak shikime të ndeshjeve të Copa Americas sesa atyre të Kampionatit Evropian, që këtë verë do të jetë shumë i popullarizuar te brazilianët”.
“Euro 2020” do të luhet në disa shtete të Evropës, prej 11 qershor deri në 11 korrik, me gjysmëfinalet dhe finalen që do të zhvillohen në stadiumin “Wembley” në Londër. Copa America, që ishte caktuar të mbahej në Kolumbi dhe Argjentinë, do të zhvillohet në Brazil, prej 13 qershorit deri më 10 korrik. Kolumbia u përjashtua nga bashkorganizimi muajin e shkuar për shkak të protestave, derisa Argjentinës iu hoq e drejta e organizimit të këtij turneu për shkak të goditjes së rëndë që ka marrë kohët e fundit nga koronavirusi.
Globo arriti rreth 80 milionë shikues kur transmetoi katër ndeshje të “Euro 2012”. Në edicionin vijues, i cili u fitua nga Portugalia në vitin 2016, kishte rreth 101 milionë njerëz që shikuan gjashtë ndeshje. Këtë herë, Globo do t’i transmetojë pesë ndeshje në kanalin e tij të hapur, duke përfshirë katër nga faza e nokautit, plus shtatë të tjera në platformat digjitale me pagesë. Në vitin 2012 dhe 2016, Globos iu desh t’i ndajë të drejtat me një kanal tjetër, TV Band.
Analistët e medias parashikojnë që Globo do të ketë rezultate më të mira këtë herë, me ndoshta 20 për qind më shumë shikues. TV SBT nuk ka gjasa të arrijë aq shumë njerëz me ndeshjet e Copa Americas – madje edhe me Brazilin si mikpritës.
“Kantar Ibope Media”, një kompani që bën vlerësimet, tha se SBT arriti vetëm 33 milionë shikues në shkurt për finalen e Copa Libertadores në stadiumin “Maracana” në Rio de Janeiro – një ndeshje midis ekipeve braziliane Palmeiras dhe Santos. Ishte një nga rezultatet më të mira të rrjetit ndër vite. Një vit më parë, Globo transmetoi finalen midis klubit brazilian Flamengo dhe rivalit argjentinas River Plate, për gati 66 milionë njerëz.
Stycer, megjithatë, vuri në dukje se ndeshjet me rivalitet në Copa America, si Brazili përballë Argjentinës ose Uruguait, mund të sjellin shumë shikues.
“Tifozët brazilianë nuk janë të çmendur për Evropian, por këtë herë do ta shikojnë në kanalin më të njohur. Copa America nuk do të tërheqë shumë shikues”.
Kombet e tjera të Amerikës së Jugut do t’i shikojnë ndeshjet “Euro 2020” kryesisht në kanalet e njohura. Në Argjentinë do të jetë në ESPN, ndërsa rivali TyC Sports do ta shfaqë Copa American. Kilianët do të kenë si “Euro 2020”, ashtu dhe Copa American në Directv.
Historikisht, brazilianët kanë një qëndrim indiferent kur bëhet fjalë për Copa American, edhe kur vendi pret turneun si në vitin 2019. Globo tha se interesi i saj në “Euro 2020” nuk ka asnjë lidhje me humbjen e kontratës për Copa America.
“Edhe pse nuk i blemë të drejtat për këtë edicion të Copa Americas, ne nuk do të ndalemi së ndjekuri ekipin kombëtar brazilian”, tha rrjeti në një deklaratë. “Evropiani nënkupton sigurinë e një produkti me cilësi të lartë për t’ia ofruar publikut, me disa nga lojtarët më të mirë ndërkombëtarë. Është gjithashtu një shans i madh për t’i parë disa nga kundërshtarët kryesorë të Brazilit për Kupën e Botës në Katar”.
Kampionati Evropian gjithashtu pritet ta mundë Copa American në kanalet kabllore edhe këtë herë, siç ka bërë në shumicën e edicioneve gjatë dy dekadave të fundit.