Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e saj të rregullt, të katërtën me radhë, ka shqyrtuar dhe miratuar vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
200 mijë euro të zotuara nga Qeveria e Kosovës në Konferencën e Donatorëve për mbështetjen e Shqipërisë në përballimin e pasojave nga tërmeti i fund vitit të kaluar, janë ndarë sot nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Mjetet do të merren nga kontingjenti i mjeteve në Ministrinë e Financave në kategorinë e shpenzimeve dhe mallrave. Këto mjete do të transferohen në llogarinë zyrtare të Bankës së Shqipërisë
Dy vendime të miratuara nga Qeveria në mbledhjen e sotme, do t’i rekomandojnë Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen në programin e BE-së “Customs 2020” si dhe Marrëveshjen e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen në programin e BE-së “Fiscalis 2020”.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” Sh.A. Vendimi mbështetet në dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe sipas rekomandimeve të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i cili konstaton se Bordi i Drejtorëve në Infrakos ka shkelur detyrat fiduciare.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar janë shfuqizuar vendimet për aprovimin e Koncept Dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë si dhe vendimin për përllogaritjen e normës së akcizës për cigaret e prodhuara në Republikën e Kosovës sipas përllogaritjes së çmimit të shitjes me pakicë me normë 30 për qind të vlerës.
Kabineti qeveritar ka ndarë 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente.
Është themeluar Grupi i ekspertëve të pavarur për dizajnimin e parimeve udhëheqëse, skenarëve dhe elementeve të reformës së Vetingut në sistemin e drejtësisë, në përbërje:
1. Qerim Qerimi – kryesues i Grupit;
2. Avni Puka – anëtar;
3. Fisnik Korenica – anëtar;
4. Visar Morina – anëtar;
5. Arbresha Loxha – anëtar;
6. Ehat Miftaraj – anëtar;
7. Ariana Qosaj-Mustafa – anëtar;
8. Arton Demhasaj – anëtar;
9. Kreshnik Gashi – anëtar;
10. Kujtim Kërveshi – anëtar;
Ministria e Drejtësisë, do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, që ta dërgojnë nga një përfaqësues në këtë grup të ekspertëve.
Qeveria ka diskutuar edhe mundësinë e shtrirjes së vetingut edhe në institucionet tjera të ndjeshme të sigurisë dhe për këtë do të marr vendim në njërën nga mbledhjet e ardhshme edhe me rekomandimin e ministrive përkatëse.
Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike është shkarkuar Bordi mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike qendrore “Trepça” Sh.A. Shkarkimi është mbështetur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe në Ligjin për Trepçën si dhe është arsyetuar me shkeljen e detyrave fiduciare nga Bordi në keqmenaxhimin e aseteve të Ndërmarrjes dhe në politikat e punësimit.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të zyrtarëve kryesor administrativ dhe zyrtarëve tjerë financiar në ministritë e riorganizuara në Qeverinë e Kosovës. Vendimi është provizorë dhe do të vlejë vetëm deri në miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2020./GazetaStop/