Ulja e numrit të veturave të paregjistruara mundësi për Kartonin e Gjelbër

Vitet e fundit është rritur numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë , numër i cili shkakton shumë probleme për afrimin e Kosovës me Kartonin Gjelbër.

Ky problem po vazhdon të jetë prezentë edhe në vitin 2021. Sipas të dhënave zyrtare numri i veturave të paregjistruara në Kosovë është mbi 200 mijë vetura. Shitja e Policave të Kartonit të Gjelbër për Kosovën, që tani për tani është problem politik.

Të hënën Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti. “Presidentja Osmani ka theksuar se BQK-ja duhet të punojë intensivisht edhe me Qeverinë e Kosovës që të sigurohet anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër”, thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës.

Guvernatori Mehmeti e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me zhvillimet në sistemin financiar dhe progresin e arritur në këtë fushë. Vëmendje e veçantë iu kushtua masave të ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë, masa këto të cilat u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik. 

Për të shikuar mundësinë e përafrimit të Kosovës me procesin e Kartonit të Gjelbër, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se duhet të punohet në këtë drejtim që së pari të kryhen punët e brendshme.

“Tani në Kosovë, janë mbi 200 mijë vetura të paregjistruara, ky është një problem shumë i madh për vendin. Qeveria e Kosovës, në këtë rast MPB duhet të punoj e të fshij nga regjistra automjetet që janë jashtë sistemit. Kjo gjë arrihet vetëm me bashkëpunim të ndërsjellët”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut ka modalitete të ndryshme se si do të mund të punohet dhe Kosova të jetë pjesë e procesit, qoftë edhe me ndonjë shtet mik që mund të shes policën e Kartonit të Gjelbër.

“Ka modalitete, edhe pse Kosova nuk është pjesë e OKB, ka mënyra, pra me bashkëpunim arrihet të kemi rezultate konkrete në këtë drejtim dhe përafrim të Kosovës, për shitje të Policës të Kartonit të Gjelbër”, theksoi Gërxhaliu.

Kurse Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) tha se Kosova synon të anëtarsohet në këtë institucion vetëm pasi të jenë kryer disa punë të brendshme.

“Parashihet edhe investimi në pajisjet teknologjike te Policia e Kosovës, përmes pajisjeve të ndryshme, kamerave të cilat do të dhurohen PK-së, atehërë ata e kanë më të lehtë që këto vetura t’i detektojë. Ta zëmë nëse në çdo hyrje të Prishtinës i digjitalizomë nga një kamerë atëherë e monitorojmë çdo veturë që hyjë. Ka edhe pajisje të tjera që policia mundet me i përdor edhe në lëvizje. Kjo sigurisht që do të ulë numrin e automjeteve të paregjistrume dhe në anën tjetër këto pajisje, nëse Policia vendos me  i përdor edhe për punë të tjera që i ka edhe në bazë të përgjegjësive, këto pajisje mund të shqiptojnë në mënyrë automatike gjoba, munden me e matë shpejtësinë si dhe punë të tjera”, ka thënë Mazreku