Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me institucionet tjera vartëse do të angazhohet në vazhdimësi përmes masave të shumta institucionale për parandalimin e punëve të rrezikshme të fëmijëve në bujqësi dhe pylltari.
Kështu është shprehur, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i MBPZhR-së, Blerim Hasani, në punëtorinë dy ditore “Roli i inspektorëve të pylltarisë në parandalimin dhe eliminimin e punës së rrezikshme të fëmijëve në pylltari”, e cila është organizuar nga MBPZhR-ja dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Me këtë rast, Zëvendës Sekretari Hasani, ka thënë se punëtoritë e tilla janë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme, në radhë të parë për të ngritur vetëdijen për të mos shfrytëzuar fëmijët në këto aktivitete. “Duke qenë në dijeni që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur vitin 2021 si “Vit Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve” dhe duke iu bashkuar partneritetit global Aleanca 8.7, MBPZhR-ja përmes platformës #endchildlabour2021, është zotuar që gjatë vitit 2021 do të ndërmarrë aktivitete të shumta për trajtimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë” tha Zëvendës Sekretari Hasani.
Ndërkaq, Drejtori i Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Besim Zogu, tha se inspektorati i pylltarisë do të angazhohet në vazhdimësi në realizimin e projekteve që kanë për qëllim parandalimin e punës së fëmijëve në bujqësi dhe pylltari.
“Është i domosdoshëm trajnimi i inspektorëve në këso lloj punëtorish dhe jap sigurinë e plotë se inspektorati i pylltarisë do të jetë në realizim të projekteve tona që ndërlidhen në këtë aspekt”, tha drejtori Zogu.
Në anën tjetër, Koordinatorja Nacionale e Projektit MAP ’16 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Lindita Boshtrakaj, ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së hapave konkret në identifikimin e parandalimit të rasteve kur fëmijët janë të angazhuar me punë në sektorin e pylltarisë.
Ndryshe, gjatë punëtorisë dy ditore, do të marrin pjesë inspektorët e komunave të Kosovës, të cilët do të trajnohen në bazë të standardeve ndërkombëtare për trajtimin e punës së fëmijëve, kuadrit ligjor si dhe modeleve më të mira ndërkombëtare.