Banka Qendrore e Kosovës e ka futur në listën e zezë kompaninë e sigurimeve “Kosova e re”.
Pas falimentimit të kompanisë së sigurimeve “Insig”, në vitin 2019, edhe kompanisë “Kosova e Re” rrezikohet t’i vihet dryni. Nëse do të falimentonte edhe ky sigurues, pashmangshëm përsëri do të rritej tarifa për sigurimin e automjeteve.
Si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike, në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm, nga data 1 nëntor 2020 deri më 30 prill 2021, shkruan lajmi.net.
Rezultati përfundimtar i procesit të administrimit është vlerësuar nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së, në fund të muajit prill.
Bordi ka gjetur se siguruesi “Kosova e Re” nuk e ka vërejtur se kompania nuk shfaqur fakte për përmirësim të gjendjes financiare, andaj ia ka dhënë edhe dy muaj kohë shtesë.
“Ju informoj se si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare të siguruesit. Kompania vazhdon të jetë nën administrim dhe Administratori ka njoftuar BQK-në lidhur me procesin e administrimit, si dhe ka kërkuar nga aksionari plotësimin e kërkesave ligjore për kapital, gjë të cilën aksionari ka mundësi t’i plotësojë deri më 30 qershor 2021”, tha për lajmi.net, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.
Administrimi është faza para likuidimit të një kompanie dhe kjo ndodh për shkak të paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital.
Kompania “Kosova e Re” është në pronësi të kompanisë nga Ferizaj “Fitorja” SHPK.
Me gjithë problemet e mëdha që mund ta qojnë në shuarje, kjo kompani ka disa kontrata aktive me institucionet publike.
Lajmi.net ka gjetur se, në vitin 2020, “Kosova e Re” ka lidhur 13 kontrata me institucionet publike në vlerë prej 305,854.27 eurove, disa nga këto kontrata janë realizuar me procedurë të negociuar, ani pse institucionet publike e kanë ditur se kjo kompani ka probleme, por dyshimet janë se mund të kenë pasur biseda interne me BQK-në.
Në vitin 2019 kjo kompani ka lidhur 9 kontrata në vlerë prej 319,686.04 eurove.
Kompania e Sigurimeve “Kosova e Re”, në tregun e sigurimeve në Kosovë është e pranishme që nga viti 1974. Nga ky vit, në përputhje me ridefinimin e statusit të saj, u themelua si Bashkësi e sigurimit të Pasurisë dhe Personave me emrin “Kosova”. Që nga viti 1990 ka punuar si shoqëri aksionare.
Në harmoni me bazat e transformimit të pronësisë, Kuvendi i aksionarëve vendosi ta riorganizojë në Kompani të Sigurimeve “Kosova”, me status të shoqërisë aksionare, duke miratuar aktet themelore si dhe duke emëruar Këshillin Drejtues, Këshillin mbikëqyrës dhe drejtorin e përgjithshëm të kompanisë.
Para dy viteve kompania e sigurimeve INSIG në Kosovë ka falimentuar dhe menjëherë më pas janë rritur tarifat nga ana e BQK-së.
Bankës Qendrore të Kosovës kishte marrë vendimin që kjo kompani të mos vazhdojë punën. Në vendimin e Bordit thuhej se Kompania e Sigurimit “INSIG” ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë pagese – Solvencës.
Menjëherë më pas, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që të rrisë tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë.
Banka Qendrore e Kosovës thoshte se kompanive të sigurimeve duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të kategorisë për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018, në mënyrë që këto tarifa të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë.
“Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Sektori i sigurimeve në Kosovë është i vogël krahasuar me asetet në sistemin financiar në Kosovë. Primet e shkruara për kokë banori janë më të ulëta se në vendet e rajonit, ndërsa krahasuar me vendet evropiane Kosova paraqet një ndër tregjet më të vogla të sigurimeve. Megjithatë, ky sektor ka një numër të problemeve. Për shembull, në vitin 2019, tri nga 14 kompanitë e sigurimeve ishin të nën kapitalizuara.
“Në anën tjetër, një numër i madh i veturave në Kosovë qarkullojnë të pasiguruara gjë që ndikon në uljen e profitit për këto kompani. Duke marrë parasysh që primet nga përgjegjësia motorike përbëjnë të hyrat kryesore apo mbi gjysmën e të hyrave nga primet për kompanitë e sigurimeve jo-jetë në Kosovë, vendimi i latëpërmendur për rritje të tarifave të sigurimit të automjeteve do të rrit dukshëm të hyrat e kompanive të sigurimeve në njërën anë por edhe koston e regjistrimit të veturave për pronarët e rreth 300 mijë veturave në anën tjetër. Vendimi do të ndikojë veçanërisht në buxhetin e ekonomive familjare rurale të cilat shpenzojnë rreth gjashtë përqind të buxhetit për transport. Përveç rritjes së tarifave, kompanitë e sigurimit do të paguajnë rreth katër milionë euro më pak tatim në të ardhurat e korporatave për shkak se nuk do të paguajnë më në bazë të primeve bruto por në të ardhurat e tatueshme”, konsideronte Instituti Gap.
Sipas raporteve të BQK-së, sektori i sigurimeve në vitin 2020 u karakterizua me rritje të aseteve, duke ruajtur nivelin e primeve të arkëtuara nga viti paraprak dhe zvogëluar nivelin e dëmeve të paguara. Përhapja e pandemisë Covid-19 kishte efekt më të theksuar në rënien e nivelit të dëmeve të paguara (pasojë e kufizimeve në lëvizje), duke ndikuar kështu që sektori i sigurimeve të realizoj fitim në vitin 2020.
Struktura e sektorit të sigurimeve vazhdon të dominohet nga shërbimet e siguruesve ‘jo-jetë’, që përfaqësojnë 91.4 përqind të aseteve të tregut të sigurimeve, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet nga asetet e siguruesve ‘jetë’. Numri i siguruesve mbeti i pandryshuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në 13 sosh, prej të cilave 11 janë sigurues ‘jo-jete’ dhe 2 sigurues ‘jetë’.
Gjysma e tregut të sigurimeve përfaqësohet nga siguruesit vendor (rreth 51.0 përqind), përderisa pjesa tjetër nga siguruesit me origjinë të huaj. Në kuadër të kompanive me kapital të huaj, siguruesit nga Shqipëria kanë pjesëmarrjen më të lartë në asete, pasuar nga siguruesit nga Sllovenia dhe siguruesit nga Austria.
Asetet e sektorit të sigurimeve arritën vlerën 220.5 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 12.2 përqind. Asetet e siguruesve ‘jo-jetë’ u rritën për 12.7 përqind, përderisa asetet në kuadër të siguruesve ‘jetë’ shënuan rritje vjetore prej 7.2 përqind.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, kapitali i sektorit të siguruesve shënoi rritje të theksuar, prej 26.1 përqind, duke arritur në 59.7 milionë euro në fund të vitit 2020. Rritja e kapitalit i atribuohet kryesisht rritjes prej 7.1 milionë euro të kapitalit aksionar të paguar, i cili në fund të vitit arriti vlerën në 91.3 milionë euro. Ndikim në rritje, por në masë më të ulët kishte dhe fitimi i realizuar gjatë vitit. Kurse, vlera e humbjeve të akumuluara ndër vite, prej 43.6 milionë euro, kishte efekt negativ në rritjen e mëtejme të gjithsej kapitalit të sigurimeve.
Struktura e primeve të shkruara dominohet nga primet e sigurimit “jojetë” të cilat përfaqësojnë 96.4 përqind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e primeve të shkruara nga sigurimi “jojetë” arriti në 95.7 milionë euro, ngjashëm me vitin e kaluar. Përhapja e pandemisë Covid-19 në masë të madhe ka ndikuar në pothuajse përgjysmim të numrit të polisave të shitura, veçanërisht polisave kufitare. Mirëpo, sipas raporteve të BQK-së, thuhet se, rritja e çmimeve të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë në fund të vitit 2019 ka ndikuar në ruajtjen e nivelit të përgjithshëm të primeve të arkëtuara gjatë vitit 2020, pavarësisht rënies së numrit të polisave të shitura.
Pandemia ndikoi që, dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve, ku përfshihen dëmet e siguruesve dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), vjet shënuan rënie për 6.6 përqind, duke zbritur vlerën në 51.5 milionë euro nga 55.1 milionë euro në vitin 2019. Nga gjithsej shuma e dëmeve të paguara, 46.0 milionë euro (47.9 milionë euro në vitin 2019) ishin dëme të paguara nga “Aksidenti dhe Shëndeti”, dhe “Kreditë dhe Garancionet”.
Sektori i sigurimeve vitin 2020 e mbylli me rezultat pozitiv financiar prej 4.1 milionë euro, për dallim nga viti i kaluar ku kishte shënuar rezultat negativ financiar prej 4.7 milionë euro. /Lajmi.net/