Mbi 120 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur vendin e punës në periudhën kohore shkurt-dhjetor të vitit 2020, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Por pavarësisht kësaj, këtyre qytetarëve parashihej që t’u ofrohej një ndihmë e nxjerrë nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Të njëjtit janë në pritje që nga muaji dhjetor, por një gjë e tillë duket se mbeti vetëm në diskutim e sipër.
Në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte përcaktuar ndarja e 300 eurove për tre muaj radhazi, që i bie 900 euro gjithsej për çdo punëtorë që dëshmon se humbi vendin e punës në sektorin privat gjatë kësaj periudhe. Janë afro 40 mijë qytetarë që parashihet të jenë përfitues të kësaj ndihme.
Edhe pse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka kohë që është votuar, këto mjete nuk kanë kaluar në llogaritë e punëtorëve nga sektori privat që mund të jenë përfitues të kësaj ndihme shtetërore. Kësisoj të njëjtit nuk morën as edhe një cent nga Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti, e njësoj ende nga Qeveria Kurti II.
Lidhur me këtë lajmi.net pati kontaktuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale të cilët si fillim theksuan se janë duke përfunduar procedurat e aplikimit për të gjithë përfituesit.
Pavarësisht se kjo gjë u tha në muajin mars dhe parashihej që brenda javës të hartohej i gjithë procesi, siç duket situata vazhdon të mbetet pezull dhe e padefinuar ende.
“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditë obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas vendimit të Qeverisë, të datës 18 shkurt 2021”, u tha në përgjigjen e Ministrisë së Punës asokohe, duke u theksua se gjatë atyre ditëve kriteret do të përfshihen në draftvendimin që do të dërgohet në Qeveri për aprovim.
Por tre muaj më vonë nga po e njëjta ministri kanë deklaruar për lajmi.net se nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Sipas Zyrës për Informim nga Ministria e Punës ende nuk ka asgjë konkrete për këtë çështje dhe se në momentin që do të fillojë zbatimi i këtij procesi opinioni do të jetë i njoftuar.
“Ende nuk ka asgjë konkrete për këtë çështje”, u tha shkurt në përgjigjen e ministrisë.
E për implementimin e kësaj mase nga Qeveria e Kosovës asokohe ishte angazhuar edhe Agjencia Shtetërore për Informacion, për krijimin e një platforme elektronike përmes së cilës do të bëhej aplikimi për të gjithë ata që kualifikohen si përfitues të kësaj mase.
Nga Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat deklaruan se janë mijëra punëtorë të sektorit privat të cilët kanë humbur vendin e punës përgjatë përballjes me pandeminë, por që shumë prej tyre nuk kanë pasur as kontrata të rregullta pune gjë kjo e cila vështirëson edhe më tepër çështjen sa i përket saktësisë se kush në fakt humbi vendin e punës gjatë kësaj periudhe.
“Përfitues të mjeteve 3×300 euro, mund të jenë 35-40 mijë punëtorë sipas statistikave tona. Përndryshe kemi pasur rreth 100 mijë punëtorë që kanë qenë në sistem gjatë këtij viti dhe mbi 60 mijë punëtorë nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë sepse pronarët e kompanive nuk kanë paguar kontribute të tyre dhe nuk kanë kontrata pune. Këta e humbin këtë të drejtë”, u tha në një përgjigje nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.
Edhe pse për implementimin e kësaj mase u tha se është i nevojshëm miratimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2021, në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Financave asokohe është theksuar se me vendimin Nr 06/58 të datës 14.01.2021, Qeveria e Kosovës ka aprovuar masat për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021, në vlerë prej dy milionë e katërqind mijë euro (222,400,000.00 €). Me këtë rast u tha se përgjegjëse për implementim është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Në këtë vendim janë ndarë mjete edhe për mbështetje për personat që kanë humbur vendet e punës, si pasojë e pandemisë (COVID-19) në shumë prej 10,000,000 € (dhjetë milionë euro). Sa i përket implementimit të kësaj mase, përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, u tha tutje në përgjigjen e MF-së.
Derisa përballja me virusin COVID-19 është duke vazhduar, përpos këtyre punëtorëve të sektorit privat që humbën vendin e punës në fillim të pandemisë situatë e vështirë është edhe tani.
Madje sipas përfaqësuesve të sektorit privat në Kosovë e vetmja ngritje e numrit të punëtorëve është në kuadër të ndërtimtarisë.
Sipas tyre vetëm në këtë sektorë është vërejtur një ngritje e numrit të punëtorëve përgjatë muajve të fundit.