Hoxhaj: Përgjegjësi për rrezikimin e jetës së të moshuarve sot, Kurti dezertoi dhe ofroi një program qeverisës të zbrazët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështimin e organizimit të procesit të dhënies së vaksinave anti-COVID.

Hoxhaj ka thënë se sot secili qytetar i Kosovës është i shqetësuar, i dëshpëruar dhe i zemëruar me pamjet e shëmtuara të mënyrës se si janë trajtuar prindërit e gjyshërit tanë në sallën “1 Tetori” ku po zhvillohet procesi i vaksinimit. 

Sipas Hoxhajt pamjet e sotme tregojnë më së miri mjerimin politik të qeverisë Kurti – një qeveri pa plan, pa prioritete dhe pa përgjegjësi dhe janë pasqyrim i sjelljes arbitrare të një kryeministri autoritar i cili do të duhej ta prezantonte programin qeverisës para disa javësh. 

“Por edhe programi që është prezantuar nuk ka asnjë zotim konkret, asnjë afat të zbatimit, as një masë të matshme si do ti ndryshoj gjërat por ka një gjuhë përshkruese sikurse të ishte një punim i thjeshtë seminarik. Ai nuk pasqyron fare premtimet e VV-së me të cilat i fitoi zgjedhjet, por as nevojat e sotshme të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.  Kur lexohet ky program 4 vjeçar i Qeverisë Kurti, përshtypjen e parë që e fiton secili është se vendi nuk përballet me pandemi. Sepse vendi ka tri probleme të mëdha sot për shkak të pandemisë, sikurse vaksinimin e popullatës, pasojat e ekonomisë në pandemi dhe menaxhimin e arsimit – me të cilat programi qeverisës nuk merret fare.”, ka thënë ai.

Deklarata e plotë e Enver Hoxhajt:

Të nderuar përfaqësues të mediave

Të dashur qytetarë të Kosovës

Sot të gjithë jemi të shqetësuar, të dëshpëruar dhe të zemëruar me pamjet e shëmtuara të trajtimit të prindërve e gjyshërve tanë në sallën 1 Tetori ku po zhvillohet procesi i vaksinimit anti covid. 

Sot jemi ngritur të gjithë të mllefosur duke përjetuar skena tronditëse  ku të moshuarit shtyhen, pa fajin e tyre, për një vaksinë, ndërsa qeveria, kryeministri Kurti dhe ministri Vitia kanë braktisuar ata dhe qytetarët e tjerë në betën e vështirë me pandeminë.  


Sot mungoi shteti, mungoi kryeministri e minstri i tij i shëndetësisë. Të moshuarit duke shpresuar më në fund të marrin një vaksinë, rrezikuan shëndetin e tyre dhe pikërisht mundësinë e infektimit me covid. 

Kjo është e papranueshme dhe e pa tolerueshme. Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve dhe për këtë do të mbaj përgjegjësi.

Prej fillimit të pandemisë, humbën jetën mira vetë ndërsa tani kur vaksina është zbuluar, shteti në mungesë të veprimit, po i çon drejt katastroftës shëndetësore e njerëzore.

Këto pamje të tmerrshme, në mungesë të organizimit të mirëfilltë të vaksinimit nga ana e ministrisë së Shëndetësisë rrezikuan drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve të Kosovës, dhe ne si PDK kërkojmë përgjegjësi penale e morale nga bartësit e këtyre institucioneve.  

Këto pamje sot tregojnë më së miri mjerimin politik të qeverisë Kurti: pa plan, pa prioritete dhe pa përgjegjësi!

Për këtë arsye, ne kemi ftuar debatin e parë parlamentar pikërisht për mungesën e vaksinave. Dhe ne jemi vend i vetëm në rajon dhe në Evropë i cili nuk ka kontraktuar asnjë vaksinë por ka marrë vetëm ndihma. 

Përderisa në Kosovë janë vaksinuar vetëm 30 mijë banorë, apo 5% e popullsisë së përgjithshme, në Shqipëri janë vaksinuar tashmë 650 mijë apo mbi 25% të popullsisë pa përmendur edhe vende të tjera në rajon apo Evropë ku po i japin fund pandemisë. 

Ftesa për një seancë të jashtëzakonshme për programin e qeverisë është pasqyrim i sjelljes arbitrare të një kryeministri autoritar i cili do të duhej ta prezantonte programin qeverisës para disa javësh. 

Por edhe ky programi që është prezantuar nuk ka asnjë zotim konkret, asnjë afat të zbatimit, as një masë të matshme si do ti ndryshoj gjërat por ka një gjuhë përshkruese sikurse të ishte një punim i thjeshtë seminarik. 

Ai nuk pasqyron fare premtimet e VV me të cilat i fitoi zgjedhjet, por as nevojat e sotshme të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.  

Kur lexohet ky program 4 vjeçar i Qeverisë Kurti, përshtypjen e parë që e fiton secili është se vendi nuk përballet me pandemi. 

Sepse vendi ka tri probleme të mëdha sot për shkak të pandemisë, sikurse vaksinimin e popullatës, pasojat e ekonomisë në pandemi dhe menaxhimin e arsimit – me të cilat programi qeverisës nuk merret fare. 

Ja vetëm disa shembuj:

Në faqet 6 dhe 7 të programit, qeveria herë i referohet 60% të vaksinimit të popullatës e herë 60% të grupmoshave që kanë nevojë për vaksinim. 

Së dyti, tek pasojat e pandemisë në ekonomi, nuk tregon se si do të del nga pandemia, nuk tregon se cfarë mbështetje do t’iu ofroj të gjithë atyre që kanë humbur vendin e punës; si do ta mbështet sektorin privat pra bizneset, dhe si do ta mbështesë sektorin publik që ndodhen në vijën e parë të frontit sikurse mjekët dhe profesionistët shëndetësorë; mësuesit e policët.

Së treti, Kosova nuk përballet vetëm me humbjen e jetës së njerëzve në pandemi por edhe me humbjen e një gjenerate në arsim. 

Teksa ende po vazhdon beteja në mesin e pandemisë për të zënë hapat e humbur për muaj të tërë, programi nuk ka më shumë se 1 fjali për zhvillimin e arsimit në pandemi dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje.  

Nga marsi i vitit të kaluar e deri më tash, shkollat janë lënë vetëm, mësimdhënësit janë lënë vetëm, nxënësit janë lënë vetëm, dhe të tre skenarët për organizimin e procesit mësimor në shkollë të kombinuar apo në distancë – kanë dështuar plotësisht. 

Situatë e njëjtë është edhe më fushat e tjera në programin qeverisës. 

Kur e lexon pjesën për politikë të jashtme, shihet që nuk ka fare program të politikës së jashtme, as qëllime dhe as pritje. Këta flasin vetëm për përpjekje: as njohje të reja, as anëtarësim në organizata ndërkombëtare por tërë politika e jashtme e Kosovës është reduktuar në dialogun me Serbinë. 

Me këtë qasje, Kosova me këtë qeveri, fatkeqësisht do t’i përngjajë Palestinës, Tajvanit, Hong Kongut apo Qipros. 

Përfundimisht kjo qeveri e ky kryeministër po dezerton nga puna dhe përgjegjësitë e tij ende pa nisur. 

Pas 50 ditësh të kësaj qeverie dhe programit të prezantuar, të gjitha gradualisht po  binden se kryeministri Kurti nuk di dhe nuk mundet të qeverisë. 

Ky do të jetë një mandat i humbur, me zhgënjime të mëdha dhe krejt e drejt në dështim.