Bletët mësohen t’i dallojnë mostrat e infektuara me koronavirus

Trajnimi është bërë në kuadër të një studimi të ndërmarrë me më shumë se 150 bletë në laboratorin kërkimor bio-veterinat të universitetit. Shkencëtarët i kanë trajnuar bletët, duke u ofruar “shpërblime” – një përzierje të ujit me sheqer – sa herë që i janë ekspozuar erës së një solucioni të infektuar me virusin SARS-CoV-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Secilën herë që bletët i janë ekspozuar një mostre që nuk ishte e infektuar atyre nuk do t’u ofrohej ndonjë shpërblim.


Shkencëtarët në Holandë kanë arritur t’i trajnojnë bletët për ta identifikuar sëmundjen pandemike COVID-19 nëpërmjet shqisës së tyre të të nuhaturit, është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Universiteti Wageningen.

Trajnimi është bërë në kuadër të një studimi të ndërmarrë me më shumë se 150 bletë në laboratorin kërkimor bio-veterinat të universitetit.

Shkencëtarët i kanë trajnuar bletët duke u ofruar “shpërblime” – një përzierje të ujit me sheqer – sa herë që i janë ekspozuar erës së një solucioni të infektuar me virusin SARS-CoV-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Secilën herë që bletët i janë ekspozuar një mostre që nuk ishte e infektuar atyre nuk do t’u ofrohej ndonjë shpërblim.

Si rezultat, bletët janë mësuar ta identifikojnë një mostër të infektuar me virus përbrenda një intervali kohor prej vetëm pak sekondash.

Megjithëkëtë, bletët nuk janë speciet e para që janë mësuar ta detektojnë COVID-19 nëpërmjet erës. Shkencëtarët kanë trajnuar gjithashtu qentë për ta dalluar një mostër pozitive prej asaj negative për COVID-19, nëpërmjet pështymës apo djersës njerëzore. Dhe këtë me një shkallë theksueshëm të lartë të saktësisë. Një studim modest i ndërmarrë në Gjermani ka treguar se qentë mund t’i identifikojnë mostrat pozitive të koronavirusit në 94 për qind të rasteve. Kjo për shkak se ndryshimet metabolike shkaku i koronavirusit ndikojnë që lëngjet trupore të një personi të infektuar të mbajnë erë më të ndryshme nga personat që nuk janë të infektuar.

Drejtuesi i projektit trajnues me bletët, Wim van der Poel, profesor i virologjisë, ka thënë se trajnimi mund të ndihmojë që rezultatet e testeve për koronavirus, për të cilat rëndom nevojiten disa orë kohë, të jepen shumë më shpejt. Kjo, për më tepër, është një metodë më pak e kushtueshme, andaj dhe mund të përdoret në vendet ku mostrat e testimeve janë në mungesë.

Megjithëkëtë, Dirk de Graaf, procesor i angazhuar në trajnimin e bletëve dhe insekteve të tjera në universitetin belg Ghent, ka theksuar se një teknikë e tillë nuk do të mund t’i zëvendësojë format konvencionale të testimeve për COVID-19 në një të ardhme të afërt.

“Është kjo një ide e mirë, por unë megjithatë më me qejf do të zbatoj testime me mjetet klasike të diagnostikimit sesa me bletët mjaltëprodhuese. Jam adhurues shumë i madh i bletëve, por më përpara do t’i shfrytëzoja ato për qëllime të tjera sesa për zbulimin e COVID-19”, ka theksuar ai.

Teknikën nëpërmjet së cilës bletët i identifikojnë gjërat e caktuara përmes nuhatjes, Ministria amerikane e Mbrojtjes e kishte përdorur qysh gjatë viteve nëntëdhjetë, për gjetjen e mjeteve shpërthyese dhe toksikëve, ka specifikuar De Graaf. “Bletët dhe grerëzat janë përdorur për çështje të sigurisë, në mënyrë që të zbulonin eksplozivë, por edhe për diagnostikime mjekësore”.

Lidhur me metodën e përdorur nga Universiteti i Wageningenit deri më tani ende dihet fare pak për të folur rreth efikasitetit të saj, mendon profesori nga Belgjika, megjithëse ka theksuar se e mbështet opsionin se bletët japin indikacione për infektime me virus kur testet PCR nuk janë të disponueshme.