Besnik Emërllahu, tashmë ka marrë titullin Inxhinier pasi ditë më parë, me temën “Diagonstikimi kompjuterike i sistemeve të automjeteve në autoservisin “Fatoni”, diplomoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kështu, ai u bë studenti i parë që temën e diplomës arriti ta mbrojë në mënyrë virtuale.
Kjo formë e re e diplomimit, erdhi pasi UP-ja mori vendim që temat e diplomës të studentëve të mbrohen përmes platformave online, pas situatës së krijuar nga virusi COVID- 19.
Besniku thotë se kjo metodë është aq e mirë sa që duhet të përdoret edhe pas daljes nga karantina.
“Kjo metodë duhet të gjejë aplikim edhe pas kësaj pandemie sepse për studentët është më e lehtë, pasi që studenti është më pak i stresuar dhe ndjehet më lirë në mënyrën e të shprehurit”, tregon ai.
Këtë ceremoni e nisi dekani i FIM-it, prof. dr. Ahmet Shala dhe sipas procedurave mbrojtja u bë para komisionit i cili u përbë nga: prof. dr. Ilir Doçi (kryetar), prof. dr. Arbnor Pajaziti (mentor-anëtar) dhe prof. ass. ar. Ramadan Duraku (anëtar).
Kjo mënyrë e diplomimit ka nisur për nivelin baçelor, por pritet të vazhdohet edhe me atë master, me qëllim që të u mundësohet studentëve diplomimi në kohë.