Nga sa gjuhë i flasin politikanët kosovarë?


Takimet i kanë të shpeshta me përfaqësuesit ndërkombëtarë. E me ta politikanëve kosovarë, iu bë që të flasin në gjuhë të ndryshme.

Por sa gjuhë i dinë politikanët kosovarë dhe sa i rëndësishëm është zotërimi i disa gjuhëve nga elita politike?

Albin Kurti në një konferencë për media në Bruksel dikujt i foli shqip, dikujt edhe serbisht. Njëjtë sikurse Kurti anglishten e zotëron mirë edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Këtë e tregoi gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë. Se flet edhe një gjuhë tjetër, Hoti ia pati konfirmuar edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ndonëse jo aq rrjedhshëm por në anglisht disa herë deklarata pati dhënë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Ngjashëm sikurse Thaçi në anglisht u dëgjua të flas edhe ish-kryeministri Isa Mustafa. Anglishten po se po por edhe frëngjishten e zotëron mirë lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj.

Politikani Behgjet Pacolli i flet pesë gjuhë. Ai zotëron mirë gjuhën frënge, angleze, italiane, gjermane e ruse.

Gjuhën e një shteti që nuk e ka njohur Kosovën e flet edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Krahas gjuhës spanjolle ajo e flet edhe turqishten derisa nuk e ka asnjë telashe me gjuhën e sllavëve fqinjë e aspak me anglishten.

Me gjuhën angleze është shquar edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.