Jennifer Lopez ka kaluar kohë së bashku me ish-të fejuarin e saj Ben Affleck, në Los Angjelos, pas ndarjes nga ish-i fejuari i fundit, Alex Rodriguez.
Siç raporton Page Six nga burime të saj, Affleck është parë disa herë duke shkuar në shtëpinë e J.Lo. brenda një dite.
Fituesi i çmimit “Oscar” është kapur duke lënë shtëpinë e Lopezit, me veturën e cila i takon këngëtares dhe aktores së famshme.
Ndonëse, nuk janë parë bashkë, burimi ka thënë se sigurimi i Lopezit e kishte marrë me veturë Affleck-un dhe e kishte dërguar në shtëpinë e saj, ku edhe ka kaluar pak kohë.
Affleck raportohet se e ka vizituar Lopezin tri herë që kur kjo e fundit është rikthyer në Los Angjelos, pasi kishte qëndruar për një kohë në Republikën Dominikane për xhirimin e filmit më të ri “Shotgun Wedding”.
Pavarësisht kësaj, thuhet se ish-çifti i famshëm janë vetëm shokë dhe se kanë qenë të tillë që kur janë ndarë.
Ata ishin fejuar në vitin 2002 dhe e kishin caktuar martesën për vitin 2003 mirëpo, në fillim të janarit të vitit 2004, ata i kishin dhënë fund lidhjes së tyre.