Kurti me Varhelyi: S’jemi as “afër” dhe as “fqinj” me BE-në, sepse jemi të rrethuar nga ajo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në takim nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.   

Në takim u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave dhe kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë  vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kryeministri Kurti theksoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi. 

Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill.  Kryeministri Kurti tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.