Dje në mbrëmje rreth orës 22:00 është raportuar për shpërthimin e dy granatave në rrugën ‘Asllan Pireva’ në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë.
Rastin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se nuk raportohet për persona të lënduar.
“Rreth orës 22:00 është raportuar se në rrugën ”Asllan Pireva” në Prishtinë janë dëgjuar detonime. Menjëherë pas marrjes së kësaj informate policia ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, të sigurisë si dhe ato hetimore-ekzaminuese. Informacionet e para flasin për shpërthimin e dy mjeteve shpërthyese të cilat fatmirësisht nuk kanë shkaktuar pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale”, tha Ahmeti.
Të gjitha njësitet policore dolën në vendin e ngjarjes për të menaxhuar me situatën dhe për të hetuar rrethanat e rastit.
Policia e Kosovës njoftoi se ka kryer të gjitha veprimet e duhura policore për të zbardhur rastin, i cili vazhdon të jetë nën hetime.