Real Madridi ka arritur të fitojë ndaj Barcelonës me rezultat 2-1 në ndeshjen e njohur si El Clasico, të vlefshme për javën e 30-të në La Liga.
Ekipi i Zinedine Zidane ka arritur të marrë fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke mposhtur ekipin e Ronald Koeman dhe duke ia ndërprerë serinë prej gjashtë fitoreve radhazi.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Real Madridit, të cilët arritën t’i shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 13-të me anë të Karim Benzemas, i cili shënoi gol të bukur me thembër për 1-0 pas asistimit të Lucas Vazquez.
Në minutën e 28-të, Reali gjeti edhe golin e dytë me anë të Toni Kroos që shënoi për 2-0 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, Barcelona ishte skuadër më e mirë dhe tentonte me çdo kusht të rikthej në lojë dhe arriti shpejt të gjej golin e parë.
Luhej minuta e 60-të kur në skenë doli mbrojtësi Oscar Mingueza, i cili shënoi nga afërsia për 2-1 pas asistimit të Jordi Albas.
Pas këtij goli, katalunasit vazhduan sulmet në tentim të golit të barazimit, por edhe përkundër rasteve nuk arritën ta gjejnë golin dhe Reali fitoi në fund me rezultat 2-1.
Pas kësaj fitore, Reali e sheh veten në pozitën e parë me 66 pikë, po aq sa ka Atletico me një ndeshje më pak në të dytin, ndërsa Barcelona zë vendin e tretë me 65 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Los Blancos luajnë në udhëtim te Getafe në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të, ndërsa Barcelona po ashtu me Getafen, por një javë më vonë në ndeshjen e javës së 31-të. /Telegrafi/