Macroni i kërkon Kurtit vazhdimin e dialogut me Serbinë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar kryeministrin, Albin Kurti për formimin e Qeverisë.

Në urimin e dërguar, Macron ka thënë se zgjidhja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është një sfidë madhore me të cilën duhet përballje.

Ai tutje ka shtuar se në vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në dialogun që autoritetet kosovare kanë zhvilluar me Beogradin nën kujdesin e BE-së.

“Shpresoj që ju ta vazhdoni këtë dialog në këtë mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse të Serbisë. Të jeni të sigurt që do ta keni mbështetjen time të plotë”, ka shkruar ai.

Macron i ka shkruar Kurtit se duke votuar për listën që ai udhëhoqi gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, shumica e votuesve që morën pjesë në votime shprehën dëshirën e tyre për ndryshim.

“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, ka shkruar ai.

Këtu, ka thënë ai, duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj.

Presidenti francez i ka dhënë mbështetjen e tij Kryeministrit Kurti për të gjitha prioritetet për të mirën e kosovarëve. Ai gjithashtu ka ofruar mbështetjen e tij edhe për dialogun Kosovë-Serbi që, sipas tij, duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Në fund të urimit Macron ka thënë se do të ishte shumë i lumtur që së shpejti të mirëpres Kurtin për vizitë në Paris.