Këngëtarja shqiptare, Xheisara, e cila u bë e njohur për publikun nga programi muzikor “X Factor”, së fundmi ka treguar se nëna e saj nuk besonte te talenti i saj dhe nuk e ka mbështetur në rrugëtimin e saj.
Ajo ka rrëfyer se sapo mori vesh për audicionet, mori autobusin dhe mbërriti në Tiranë pa dijeninë e askujt.
“Unë vija nga Burreli dhe merrja pjesë në ‘X Factor’. Kam qenë 15 vjeçe. Kur shikoja ‘X Factor’, i thosha mamit se një ditë do jem unë atje dhe do të fitoj. Dhe mami më thoshte: ‘Ti do fitosh?! Ti ik lësho lopët atje në fshat, s’je ti për të dalë në televizor”, tregoi këngëtarja, në emisionin “Rudina”.
Xheisara shtoi se e ëma nuk e besonte këtë gjë, pasi i thoshte: “Nga do dalësh ti me talent?”.
“Ne jetonim në qytet, por shkonim çdo fundjavë në fshatin e babait dhe mami thoshte: ‘Ti mund të këndosh kur të lëshosh lopët.’ Pastaj një ditë të bukur unë pashë që po bëheshin audicionet e ‘X Factor’ dhe i them mamit që më duheshin 10 mijë lekë për një projekt në shkollë. Ndërsa një ditë të bukur isha në divan, e dija se kur do dilja dhe po shikoja emisionin. Dal unë dhe mami që po shikonte televizorin, më shikon mua dhe më thotë: ‘Ku je ti aty?!’ I thashë: ‘Eh dola një ditë dhe lëshova lopët.’ Që prej asaj dite mami nuk më pengoi kurrë më”, ka përfunduar Xheisara.