Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022” në duel me Kombëtaren e Spanjës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla është mbyllur 3:1 për spanjollët.
Ashtu siç pritej Spanja e mbizotëroi lojën, veçmas në pjesën e parë. Dardanët i rezistuan mjaft mirë sulmeve të pareshtura të ekipit të Luis Enriques deri në minutën e 34-t, kur Daniel Olmo shfrytëzoi shpërqendrimin e mbrojtjes tonë dhe zhbllokoi shifrat (1:0). Vetëm dy minuta më pas spanjollët shënuan sërish, kësaj radhe nëpërmjet Ferran Torres. Në pjesën e dytë Dardanët ishin më të guximshëm dhe e vendosën nën presion ekipin spanjoll, e ku si rezultat në minutën e 70-të Besar Halimi shënoi nga distanca e largët, duke shfrytëzuar daljen e portierit Unaj Simon. Pas këtij goli futbollistët tanë këmbëngulën edhe për golin e dytë, duke krijuar dy mundësi të mira veçmas nëpërmjet Lirim Kastratit.
Megjithatë, golin e qetësisë për spanjollët e realizoi Gerard Moreno, në minutën e 75-të, duke e konfirmuar fitoren e ekipit të tij.