Në kuadër të operacionit të sotëm të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë arrestuar edhe dhjetë (10) persona të tjerë si dhe gjatë kontrollit të disa lokacioneve janë sekuestruar edhe njëmbëdhjetëmijë (11.000 ) euro.
Ky aksion u realizua nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani.
Vlen të theksohet se deri më tani nga ky operacion janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe janë sekuestruar gjashtë (6) vetura, 160.300 euro dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.
Të gjithë të dyshuarit e arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.