Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Kombëtaren e Spanjës, këtë të mërkurë.
Ndeshja do të fillojë nga ora 18:00 dhe do të mbahet në “Estadio La Cartuja de Sevilla” të Spanjës.
Kjo është ndeshja e dytë e kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, pas asaj që patën me Suedinë të dielën, rezultati i të cilës ishte 3 me 0 për shtetin mik.
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në një konferencë për media tha se “Dardanët” do ta kenë përpara ekipin më të mirë në botë.
Ai theksoi se janë munduar të përgatiten sa më mirë për këtë ndeshje.
“Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe jemi të gatshëm”.
“Dardanët” gjatë ditës së djeshme vetëm se kishin arritur në shtetin spanjoll për t’u ballafaquar me përfaqësuesit e tyre në fushën e futbollit.