Ministria e Infrastrukturës: 600 aplikantë në ditë për testin teorik të patentë-shoferëve

Qindra persona janë parë sot duke pritur për të paraqitur testin teorik për patentë-shoferë, në Njësinë për Patentë-Shoferë në Prishtinë.

Lexuesit e klankosova.tv kanë dërguar edhe pamje, duke parë radhë të gjata të kandidatëve për leje të vozitjes.

Se si po ecë procesi Klan Kosova ka pyetur në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në përgjigjen e dërguar për Klan Kosova drejtori i Departamentit të Patentë-Shoferëve Burim Deliu, tha se janë 600 aplikime në ditë.

Deliu tha se paraqitja e provimeve po bëhet sipas orarit të përcaktuar.

Ai theksoi se po punohet maksimalisht në zvogëlimin e numrit të aplikantëve.

“Të nderuar, Organizimi i paraqitjes është duke vazhduar sipas orarit të cilin e kemi publikuar në web faqe të Ministrisë, por ky numer i kandidatëve është duke u menaxhuar, dhe besoj gjatë ditëve në vijim do të zvogëlohet “.

Ai theksoi se kjo situatë vjen për shkak se një kohë nuk janë mbajtur provimet teorike, sepse nuk kanë pasur licencë pyetësit teorik.

“Kjo situatë ka ardhur për shkak se një kohë nuk kemi mbajtur provime nga teoria, për shkak se nuk kanë pasur licencë valide pyetësit teorik (që mbajnë provimin ). Ne jemi duke pranuar afërsisht 600 aplikantë në ditë për paraqitje të provimit teorik në Prishtinë, jemi duk punuar me staf maksimal të angazhimit”.