Në kërkim të plazmës konvalesente

Dhuruesit e gjakut, të cilët u janë përgjigjur thirrje përmes rrjeteve sociale për të siguruar plazmën konvalesente me dedikim për personat e caktuar të infektuar me COVID-19, nuk janë të vetmit dhurues, thotë për Radion Evropa e Lirë, doktoresha Hedije Mahmutaj nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut.

Sipas saj, dhuruesit e rregullt të gjakut janë donatorët kryesorë, përmes të cilëve institucionet shëndetësore janë duke i siguruar dozat e plazmës konvalesente për trajtimin e të infektuarve me koronavirus.

“Për atë, i kemi të gatshëm çdoherë dhuruesit vullnetarë të gjakut. Ata nuk vijnë të dhurojnë gjak me emër, ata janë dhurues për të gjithë pacientët. Ata thonë: ‘Ju e testoni nëse pranohet, ju keni të drejtë kujtdo, cilido pacient që ka nevojë t’i dhurohet plazma jonë’. Të gjitha rastet që janë lajmëruar nga cilado klinikë ju kemi siguruar plazmë konvalesente”, thotë Mahmutaj.

Nga janari i këtij viti, bën të ditur Mahmutaj, janë afër 2.200 dhurues të përgjithshëm, dhurues të rregullt vullnetarë të gjakut. Prej tyre, 567 kanë kaluar sëmundjen COVID-19 dhe nga ky numër 105 kanë kaluar si dhurues të plazmës konvalesente.

Shumë qytetarë po përdorin rrjetet sociale për të siguruar plazmë konvalesente për familjarët e tyre të infektuar me COVID-19, të cilët qëndrojnë të shtrirë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj është njëri prej shumë personave që përmes rrjetit social Facebook, ka kërkuar ndihmë për të siguruar plazmë të gjakut për grupin A pozitiv, për babanë e tij.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se po mungon organizimi institucional për mobilizimin për dhënien e plazmës konvalesente nga ata që e kanë pasur virusin dhe kanë antitrupa të mjaftueshme.

“Fytyrat publike janë ato që kanë zë dhe zëri tyre dëgjohet te personat e tjerë dhe ata mund të sigurojnë plazmë apo çfarëdo që ju nevojitet për trajtimin e sëmundjes. Por, çfarë të bëjmë me personat që nuk kanë zë, nuk kanë qasje në rrjetet sociale? Ata edhe mund të pësojnë”, thotë ai.

Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, nuk ka bërë ndonjë fushatë për thirrje për dhurues të plazmës konvalesente. Thirrja, siç thotë doktoresha Hedije Mahmutaj, është bërë përmes deklarimeve nëpër media.

Trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmë konvalesente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin.

Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Për të qenë dhurues i plazmës konvalesente duhet plotësuar disa kushte.

Doktoresha Mahmutaj thotë se jo çdo person që e ka kaluar COVID-19 mund të jetë i përshtatshëm për plazmë konvalesente.

“Ata së pari duhet të plotësojnë pyetësorin standard, e që mund të refuzohen nga mjeku nëse diçka nuk është në rregull, ka një alergji, ka një sëmundje apo përdor një terapi. Pastaj është edhe pyetësori anti-COVID. Edhe nëse i plotëson të gjitha kushtet, e kemi edhe testimin imunohematologjik, testimin e sëmundjeve transitive dhe në fund testimin për antitrupa”, thotë ajo.

Infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti, i cili njëherësh është kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalesente, tha për Radion Evropa e Lirë se plazma nuk është ndonjë medikament që bën mrekulli. Por, në momentin e duhur jep ndihmë të mirë në ndaljen e progresit të sëmundjes.

Në rastet në Kosovë, që kanë marrë trajtim edhe me plazmë konvalesente, shton Ahmeti, janë vërejtur efekte të mira dhe nuk kanë pasur efekte anësore.

“Plazma kur jepet në ditët e para të sëmundjes, respektivisht nga dita e shtatë deri në ditën e dhjetë ka pritshmëri për efekte më të mira sesa ajo që jepet pas ditës së dhjetë të sëmundjes. Në praktikën tonë kemi vërejtur efekte të mira të saj”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se në shumicën e rasteve kur është dashur plazma konvalesente për trajtimin e pacientëve nuk ka pasur mungesë.

Trajtimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën konvalesente, në Kosovë ka nisur nga data 5 shkurt.

Para fillimit të trajtimit të pacientëve me plazmë konvalesente, autoritetet shëndetësore kishin miratuar një udhëzues, përmes së cilit u lejua trajtimi me plazmën konvalesente, si terapi mbështetëse për pacientët me koronavirus. /Rel/