Hoxhaj pas takimit me Kurtin e Osmanin: Vota e PDK-së për presidentin e ri varet nga qëndrimi i tyre për këto 10 tema e parime

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili kanë takuar në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe U.D. të Presidentes, Vjosa Osmani.

Në takimin e ftuar për fillimin e konsultimeve me partitë politike rreth krijimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Hoxhaj ka thënë se PDK është konstruktive dhe do të udhëhiqet nga disa parime të rëndësishme. 

Sipas tij, në takim janë shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë.


Kjo është deklarata e plotë e Hoxhajt pas takimit:


Në këtë takim, të parin e këtij formati pas zgjedhjeve, ne kemi qenë konstruktiv, por edhe parimor. Kosova, si asnjëherë më parë, ka nevojë për stabilitet politik, i cili që nga viti 2014 ishte shkatërruar në baza ditore nga Kurti dhe partitë tjera.

Në këtë takim kemi shkuar me parime e qëndrime të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet të përmbushë një president. 

Në takim kemi folur për parime e jo për emra. Parimet janë ato që e përcaktojnë presidentin e ri të Republikës së Kosovës.

Kosova ka nevojë për stabilitet, për një president që përbashkon skenën tonë politike, që unifikon popullin e Kosovës, që avancon marrëdhëniet tona diplomatike.

Dhjetë vjet më parë ishte PDK-ja ajo që krijoi një kulturë politike të konsensusit ndërpartiak për zgjedhjen e presidentit.

Tani, dhjetë vjet më vonë, në vitin 2021 me insistimin e PDK-së, kemi për herë të parë një parti që ka fituar zgjedhjet dhe që mëton të zgjedhë presidentin me vota të opozitës.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot, nga z. Kurti dhe nga znj. Osmani kam kërkuar transparencë dhe qartësi të plotë në politikën e jashtme të Kosovës. Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm në përfaqësimin e Republikës së Kosovës jashtë vendit dhe udhëheq politikën e jashtme, ndërsa Kryeministri dhe Qeveria kanë rol esencial në formulimin e politikës së jashtme.

Kështu, para se Partia Demokratike e Kosovës të marrë një qëndrim përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit në organet e saj dhe meqë po kërkohet roli i PDK-së në zgjedhjen e Presidentit, unë kam kërkuar disa shpjegime ose zotime nga z. Albin Kurti dhe nga znj. Vjosa Osmani-Sadriu.

Këto janë pikat kryesore:

1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?  7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë një qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

PDK-ja gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në institucionet e Kosovës dhe ne do të luajmë rolin tonë opozitar karshi qeverisë së re.