Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon mjekimi i pacientëve me COVID-19 me plazmën e gjakut të të shëruarve nga ky virus.
Infektologët pohojnë se efektet e kësaj metode janë të mira. Mirëpo në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut nuk ka asnjë rezervë të kësaj plazme.
Përderisa Kosova ende nuk ka arritur të marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, një metodë për mjekimin e të infektuarve me koronavirus është plazma e gjakut të të shëruarve nga ky virus.
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare tashmë janë mjekuar dhjetëra pacientë me plazmën e gjakut.
“Deri më tani në Klinikën Infektive kemi rreth 50 pacientë të cilët janë trajtuar me plazmën konvaleshentë. Është shumë me rëndësi që kur e japim plazmën ta dhënë në kohën e duhur që do të thotë sa më shpejt dhe meqenëse ne e kemi të rezervuar kryesisht te pacientët e rëndë dhe pacientët mesatarisht të rëndë, shpeshherë ne i hospitalizojmë me vonesë për shkaqe të ndryshme meqenëse vetë vijnë pacientët me vonesë”, tha për RTV21, infektologu Sali Ahmeti.
Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Në këtë institucion thonë se aktualisht nuk kanë asnjë rezervë të kësaj plazme.
“Numri i tyre është rreth 430 të cilët kanë dhuruar gjak dhe e kanë kaluar COVID-19. Por jo të gjitha kanë plotësuar kushtet për të qenë si plazme kovalesente kështu që gjithsej i kemi të grumbulluara 80 doza të plazmës kovalesente por që të gjitha janë shfrytëzuar për trajtimin e pacientëve me Covid-19”.
Në Klinikën Infektive pohojnë se efektet e plazmës së gjakut tek pacientët e infektuar që janë mjekuar deri më tani janë të mira.
Në këtë kohë kur kërkesat për plazmën e gjakut janë në rritje e sipër dhe rezervat janë harxhuar në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ftojnë qytetarët që kanë kaluar COVID-19 të dhurojnë gjak.
Dhurues të plazmës së gjakut mund të jenë vetëm ata persona që kanë nivelin e lartë të antitrupave në organizëm pasi kanë kaluar koronavirusin.