355 delegatë nga 38 degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të vendosin se kush do të udhëheq me këtë parti për dy vitet e ardhshme. Me datë 14 mars, nga të gjitha komunat në Kuvend zgjedhor do të mblidhen për të dhënë votën e tyre, derisa, atë ditë zyrtarisht do të dihet edhe kush janë pretendentët për të udhëhequr subjektin më të vjetër politik në Kosovë.
Saktësisht një muaj pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 14 shkurtit që e radhitën Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti të tretë, me rezultatin më të dobët në historinë e këtij subjekti politik, Isa Mustafa do të lirojë edhe zyrtarisht karrigen e kryetarit që e mbajti për mbi një dekadë.
Ende pa i skaduar mandati, Mustafa ka vendosur që në Kuvend të LDK-së për dy vitet e ardhshme të emërohet një kryetar i përkohshëm i subjektit, që do ta udhëheqë partinë drejt zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen këtë vit.
Tashmë disa pretendentë për karrigen më të rëndësishme të partisë veçse kanë shpallur kandidaturat e të njëjtat zyrtarisht mund t’ia përcjellin sekretarit të Lidhjes Demokratike, për Komisionin Kandidues.
Mirëpo, për të dalë para 355 delegatëve të LDK-së në mënyrë që të votohesh për t’u bërë prijës i tyre nuk është aq e lehtë. Hiç më larg se në Kuvendin e fundit, Fatmir Sejdiu kishte dështuar të marrë votat e gjysmës së delegatëve në mënyrë që të iu aprovohet kandidatura për kryetar të partisë. Të njëjtin fat e kishte pasur vite më parë edhe Vjosa Osmani.
Sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ditën që vendoset se do të emërohen strukturat e reja të subjektit, mblidhen në Kuvend zgjedhor delegatët e partisë.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.
Në këtë mënyrë nëse të pranishëm në sallë janë 355 delegatë, atëherë duhet që një kandidat të marrë 50 për qind plus 1 të votave të totalit të delegatëve.
Anton Quni, Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala e Melihate Tërmkollideri tani janë vetëm disa prej emrave që kanë deklaruar publikisht se do të jenë kandidat apo janë përfolur në opinionin.
Mirëpo, nëse të njëjtët do të kandidojnë edhe zyrtarisht, fillimisht do të duhet ta kalojnë pragun e votave për t’i hyrë pastaj edhe garës.
Në këtë mënyrë, votat e delegatëve mund të eliminojnë me 14 mars ndonjërin prej tyre duke mos ia dhënë të drejtës të i hyjë garës për t’u matur me votë në raundin final.
Krejt kjo determinohet nga votat e degëve të caktuara. Secila degë e LDK-së ka numrin e caktuar e për zgjedhjen e tyre vendoset në Kryesi të LDK-së, me autorizimin e Këshillit të Përgjithshëm.
Në faqen zyrtare të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë të publikuara të dhënat për secilën degë, për të parë se cila nga to ka më shumë përfaqësues në Kuvendin që pritet të mbahet në muajin e ardhshëm.
Tashmë anëtarë të subjektit veçse kanë nisur kritikat se votat nuk janë individuale por me anë të votave që përcaktohen në nivel më të lartë, edhe degët e caktuara përkrahin kandidatë të caktuar.
Kryeqyteti përfaqësohet me më së shumti delegatë në Kuvend zgjedhor, megjithatë Prishtina ka pesë degë të ndara që kanë edhe numrin e ndarë të delegatëve.
Gazeta Express merr vesh se nga Prishtina janë më shumë se 50 delegatë në Kuvend. Nga dega që përfaqësohet nga Besian Mustafa janë 12 delegatë ka konfirmuar i njëjti për Express. Ndërsa, dega që udhëhiqet nga Hazir Borovci ka 10 delegatë.
“10 i kemi, varet në bazë të numrit qysh ndahen. Do degë në Prishtinë i kanë 10 do 7 do 11-të”, ka thënë Borovci për Gazetën.
Dega e Izet Sadikut ndërkaq ka 4 delegatë, ka konfirmuar ai për Express.
Pas Prishtinës, komuna e dytë me më së shumti përfaqësues është Peja që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri. Nënkryetari i LDK-së, ka konfirmuar për Gazetën Express se dega e tij i ka 30 delegatë.
I pyetur nëse kanë vendosur kë do ta përkrahin për kryetar, apo nëse ai do të kandidojë, Muhaxheri ka thënë se ende nuk janë përcaktuar ende.
“Ne nuk jemi përcaktuar, nuk e dimë kush ka me kandidu por iu japim mbështetje të gjithëve. Unë nuk do të jem. Në Kuvend 30 delegat gjithsej”, ka thënë i njëjti.
Një delegat më pak se Peja e ka dega e LDK-së në Podujevë që udhëhiqet nga Agim Veliu. Express merr vesh se Llapi përfaqësohet në Kuvend zgjedhor nga 29 delegatë.
Gjilani që udhëhiqet nga Lutfi Haziri radhitet si degë e katërt me numër të përfaqësuesve në Kuvend Zgjedhor.
“Gjilani i ka 28 delegat në Kuvend qendror”, ka konfirmuar Haziri për Express-in.
Pas këtyre komunave, në radhë për numër të delegatëve radhitet Ferizaj me gjithsej 22 delegatë, ka konfirmuar kreu i degës së Lidhjes Demokratike në këtë komunë, Muharrem Sfarqa për Express.
Lipjani ndërkaq pas Ferizajt përfaqësohet nga 20 delegatë, bëjnë të ditur nga dega e subjektit në këtë komunë.
Dega e LDK-së në Prizren që udhëhiqet nga Anton Quni që tashmë ka shpallur kandidaturën e tij përfaqësohet nga 18 delegatë.
Ani pse kjo degë ka tashmë kandidaturë të shpallur kryetarin e partisë, sekretari i kësaj dege Nderim Gashi ka thënë se nuk kanë vendosur se kë do ta votojnë.
“Jemi duke i mbledh rezultatet dhe do të dalim me një analizë pasi kemi pas një rezultat jo të mirë edhe ne nivel lokal, nuk kemi pas kohë me mëndu për kandidaturë qendrorë, nuk mundem me të dhënë një përgjigje të saktë për këtë nuk e di”, ka thënë sekretari i degës së LDK-së në Prizren.
Dega e Haki Rugovës në Istog përfaqësohet nga 14 delegatë ndërsa dega e Mitrovicës që udhëhiqet nga Safet Kamberi ka 12 delegatë.
Kamberi i ka thënë Express-it se nuk kanë vendosur ende kë do ta votojnë, sepse po i presin kandidaturat.
“Nuk po dihen ende njëherë zyrtarisht kandidaturat, por do të shohim”, ka thënë Kamberi.
15 delegatë i ka Suhareka, i ka thënë Express-it, kreu i LDK-së në këtë komunë, Ardian Shala.
Kreu i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti që udhëheq LDK-në në këtë komunë ka thënë se kanë 14 delegatë në Kuvend zgjedhor. I pyetur nga Express nëse ai vet ka pretendime të kandidojë për kryetar ai ka thënë se nuk është i interesuar, por, që nuk kanë vendosur ende as kë do ta përkrahin.
“Ne i kemi 14 delegatë në Kuvend zgjedhor të LDK-së. Unë nuk jam i interesuar, mbetet me pa në vijueshmëri. Më së pari nuk e dimë listën e kandidatëve, e di që të interesuar shumë, është mirë që ka. Duhet me i pa se është mirë në formë demokratike me pas shumë kandidatë, me pas mundësi me zgjedhë, kandidatët në mënyrë demokratike me ndodh, me pas kualitet. Kosova ka nevojë për një parti që ka demokraci, unë jam këtu për me e dërgu një mesazh të mirë. Pavarësisht rrethanave se janë normale. Unë jam njëri prej delegatëve, nuk mundem me fol në emër të tjerëve”, ka thënë Haliti.
Klina në Kuvend të LDK-së do të përfaqësohet nga gjashtë delegatë. Kryetari i këtij subjekti në këtë komunë, Fadil Gashi ka thënë se do ta përkrahin një kandidat që do të jetë mjaftueshëm i guximshëm që kandidaturën e tij ta shpallë në Kuvend zgjedhor.
“Është një kandidat që do ta shpallë kandidaturën në Kuvend, kush ka guxim me e shpallë kandidaturën në Kuvend. Ne nuk kemi ndonjë preferencë, duhet të jetë kandidat i denjë që nuk ka ra ndesh me qëndrimet e LDK-së vendime t e LDK-së duhet të jetë besnik”, ka thënë Gashi.
Në të dhënat zyrtare të LDK-së që nuk janë përditësuar që disa vite thuhet se LDK-ja ka 38 degë nëpër komuna të Kosovës.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe disa komuna tjera ku ka degë ky subjekt.
Nga dega në Dragash kanë bërë të ditur se kanë 8 delegatë, nga Vushtrria 9 delegatë, nga Gjakova kryetari i LDK-së në këtë komunë ka thënë se kanë 9 delegatë, dega e LDK-së në Kaçanik ndërkaq ka bërë të ditur kryetari i degës, Shkëlqim Jakupi se kanë 4 delegatë.
Fuqinë më të madhe në Kuvend të LDK-së e kanë pra komunat që udhëhiqen nga nënkryetarët e partisë, derisa, nuk dihet se nëse deri më tani janë bërë matematika për të përkrahur njërin apo tjetrin që të marrë vota të mjaftueshme, apo siç kishte ndodhur edhe më herët të zgjidhet dikush me aklamacion.
Disa degë të LDK-së kanë bërë të ditur se kanë delegatë që janë tërhequr e rrjedhimisht nuk është mundësuar zëvendësimi i tyre.
Dje në LDK kanë thënë se ditëve të ardhshme do ketë takime edhe me kryetarët e degëve të LDK’së dhe me Kryesinë për emrat e mundshëm për kryetar të subjektit, derisa, Isa Mustafa shtoi se nuk ka asnjë favorit për këtë pozitë.
Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë.
Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.
Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.