Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka kritikuar mënyrën se si filloi dialogun Kosova me Serbinë në vitin 2011 kur në krye të qeverisë ishte Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se ky dialog nuk e njohu Pakon e Ahtisaarit, njofton Klan Kosova.
“Çështja e dialogut është tepër e ndjeshme, por s’ka filluar si duhet. E ka filluar me nguti dhe kemi ardhur në një fazë bllokimi të tillë, pra në formën se si është bllokuar. Qëndrimi im nga viti 2008 dhe këndej ka qenë se duhet të respektohet dy-tri gjëra thelbësore: Pakoja e Ahtisaarit ka qenë alfa dhe omega e gjithë procesit tonë dhe ne kemi bërë gjithë sakrificën si vend. Kemi kërkuar dhe kemi pajtuar që ai projekt, i cili po të dilte në referendum pa sqarime për qytetarët nuk do të pranohej për pika të caktuara”.
“E kam kundërshtuar gjashtëpikëshin për të cilin ka pasë shumë debat dhe presione. Unë e kam shpjeguar disa herë që si president i vendit nuk kam qenë kundër dialogut, por si president kam kërkuar që të mos keqpërdoret. Të hysh në dialog pa e ditur se cilat probleme do t’i diskutosh. Të hysh në dialog pa nivelet e përcaktuara se kur dhe ku. Të hysh në një dialog që e rrezikon çështjen e statusit, sepse Serbia ka pasë atë intencë. Të hysh në një dialog të pafund që ka qenë vullnet i Serbisë ta stërzgjasë. Të hysh në një dialog që s’dihej roli i SHBA-së. Ka qenë e rrezikshme”.
“Ato shtete që kanë qenë buzë njohjes së Kosovës kanë thënë: “Po presim tash se si po përfundon dialogu”. Për sa do të përfundojë dialogu? Në 2011-ën nisi, cili vit është tash? 10 vjet. Hymë në një dialog që thotë se s’ka përfunduar çështja e Ahtisaarit. Asociacioni i Komunave Serbe – Ahtisaari është shumë i qartë se çka është asociacioni edhe për serbët edhe për shqiptarët. Mekanizëm ndihmës dhe jo ndarës. Kosova është shtet unitar dhe jo të hyhet në një dialog që e thyen këtë”.
Sejdiu në Info Magazine e ka quajtur të pacipë reagimin e qeverisë që ka thyer parimet dhe hyri në një dialog ku u vu në lajthitje me fusnotën.
Ndërkaq, për qeverinë e re që do të krijohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Sejdiu tha se për të mirën e qytetarëve duhet të mbahen premtimet e dhëna.