Kryetari i komunës së Skënderajt Bekim Jashari, ka reaguar pas sulmit që i është bërë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në këtë komunë pas një tubimi elektoral.
Jashari tha se secili ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike.
Ai shtoi se është i lirë kushdo që ia mësyn ta vizitojë për këtë komunë.
“Të dashur qytetarë, Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj. Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë”.
“Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë. Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur”.