Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me mësimdhënës dhe qytetarë të Komunës së Ferizajt, para të cilëve ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj duke thënë se PDK është partia e vetme që ka program për këto zgjedhje, ka theksuar se me planin e Rimëkëmbjes do t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve të vendit, ku do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit, policët, mjekët e infermierët, si dhe rritje të pensioneve në bazë të kategorive.
“Për familjet e dëshmorëve, për veteranët e luftës, për invalidët e luftës, do të ketë rritje të pensioneve nga 170 euro në 300 euro. Nëse një familje deri tash i ka pasur dy apo tre dëshmorë, ju e dini që e kanë marrë një pension. Tash do t’i marrin sa dëshmorë kanë dhe nëse një veteran e ka pasur një kontratë pune do të duhej të mendonte a ta marrë pensionin apo ta vazhdojë kontratën e punës. Tash edhe ka me marrë pensionin e rritur në 300 euro, edhe kontratën e punës. Po unë e di që këtu ka edhe mësimdhënës dhe ne do t’i rrisim pagat për mësimdhënësit e nivelit fillor prej 421 në 600 euro, për profesorët e shkollave të mesme nga 460 në 700, për policët e Kosovës nga 562 euro në 750 euro. Për zjarrfikësit nga 440 euro në 650 euro, për infermierët nga 423 në 650, për mjekët specialistë nga 705 euro në 1 mijë e 500”, ka thënë ai.
Kryetari i PDK-së ka theksuar se me të kryeministër nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe.
“Nuk do të ketë asociacion, as republikë serbe në veri të vendit dhe nuk do të ketë kurrfarë krijese që e lëndon Kushtetutën e Kosovës, që cenon integritetin territorial të Kosovës, që e prishë rendin kushtetues të Kosovës apo sovranitetin e Kosovës. Kurrë nuk do të ketë me mua kryeministër dhe kurrë me PDK-në”, ka thënë ai.
Hoxhaj nga Ferizaj përsëri i ka bërë thirrje kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, që të përballet me të në debat.
“Ai njeri nuk ka program, ai njeri nuk ka vizion, ai njeri nuk po del në debat me mua, po i ikë debatit. Unë e ftoj që të dalim në debat, të debatojmë. Si munden qytetarët e Kosovës ta votojnë një njëri, i cili nuk ka program, i cili nuk fol se çfarë do të bëjë dhe si mund t’ia japin votën një njeriu, i cili nuk e dinë se çka do të bëjë as ditën e parë, as javën e parë. E ftoj edhe një herë prej Ferizajt, të matemi kush sa po dinë”, ka thënë ai.
Hoxhaj gjatë ditës ka takuar edhe qytetarët e Vitisë, para të cilëve ka prezantuar planin e PDK-së për Rimëkëmbje.