Durim Berisha, njohës i Kushtetutës, derisa s’kishte shërbyer për Albin Kurtin, në një analizë të publikuar në Kohë Ditore në korrikun e vitit 2019, kishte thënë se presidentit ia lejonte Kushtetuta që edhe në rast të mocionit të mosbesimit për qeverinë, të evitonte zgjedhjet e reja dhe të provonte krijimin e një qeverie të re. Tash i njëjti, duke përdorur të njëjtat argumente, mirëpo në pozitën e këshilltarit të Kurtit, thotë se një mundësi e tillë nuk ekziston.
Prej kur ka dhënë dorëheqje kryeministri Haradinaj e deri më sot kanë kaluar vetëm disa muaj, kushtetuta vazhdon të jetë e njëjta, mirëpo qëndrimet e këshilltarit ligjor të Albin Kurtit, Durim Berishës, kanë ndryshuar për 180 shkallë.
Berisha, i cili është mjaft aktiv javëve të fundit, e kishte shkruar një kolumne në Kohën Ditore me 22 korrik, pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, duke e përndritur opinionin me analizën e tij për kushtetutën, por rolin e Presidentit dhe rolin e Kuvendit, në rast dorëheqjesh apo mosbesimësh ndaj qeverive. Në këtë analizë të tij, ai madje, dukej sikur kishte inati me juristë të tjerë, kur që në nëntitullin e shkrimit fliste për disa “kuazinjohës të probleme kushtetuese”, por që çdo gjë që vetë e kishte shkruar në korrik, vetë e kishte demantuar në mars.
Sipas analizës qe kishte bërë, vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme shkon domosdoshmërisht vetëm në rast se deputetët me 2/3 e votave vendosin për shpërndarje të Parlamentit.
Derisa kishte analizuar nenin 66.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për rastet e shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, Berisha kishte potencuar se në rast te kalimit me sukses të një mocioni mosbesimi, e drejta e shpërndarjes së Kuvendit i takon edhe presidentit të vendit, megjithatë kishte specifikuar se në këtë nen nuk përjashtohet mundësia që presidenti të krijojë një qeveri të re brenda legjislaturës ekzistuese, pra pa e shpërndarë Kuvendin fare.
“Kushtetua po ashtu në nenin 66.2 ka përcaktuar se në rastet e shpërndarjes së Kuvendit zgjedhjet duhet të organizohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Neni 82 i Kushtetutës ka përcaktuar tri (3) situata kur kuvendi duhet të shpërbëhet. Në rastin e parë nëse ai dështon të zgjedhë Qeverinë në afat prej 60 ditësh pas mandatimit të kandidatit për kryeministër. Në rastin e dytë nëse Kuvendi voton me 2/3 e të gjithë deputetëve që ai të shpërndahet dhe në rastin e tretë nëse nuk arrijnë që brenda 60 ditësh nga dita e fillimit ta zgjedhë presidentin e vendit. Në paragrafin e dytë të këtij neni i është dhënë mundësia presidentit që të shpërndajë Kuvendin në rast të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të re – brenda atij mandati të legjislativit (në Republikën Federale të Gjermanisë ekziston vetëm mocioni konstruktiv i mosbesimit, sipas të cilit qeveria mund të shkarkohet vetëm nëse ekziston qeveria/kryeministri që do ta pason menjëherë të shkarkuarin)”, kishte shkruar këshilltari i Kurtit më 22 korrik 2019 në analizën e tij “Ra ky kryeministër dhe u pa injoranca e kuazi-konstitucionalistëve”.
Megjithatë tashmë Berisha kur po i shërben Kurtit si këshilltar ligjor ka ndryshuar fjalët dhe interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij shkuarja në zgjedhje të reja është e paevitueshme, ani pse muaj më herët kishte thënë se nuk përjashtohet mundësia që presidenti i vendit të provojë të krijojë një qeveri të re pa shkuar fare në zgjedhje të reja.
Sipas tij, ndryshe nga interpretimi i korrikut të vitit të kaluar, Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon që të krijohet një qeveri e re dhe të votohet nga legjislatura ekzistuese.
“Ata që iniciuan mocionin e mosbesimit të frymëzuar nga diskutimi publik i atyre që shprehim mendimet e tyre, por nuk e interpretojnë të drejtën, shprehi hapur dëshirën që në këtë legjislaturë të votojnë përbërjen e re të një Qeverie të re. POR KUSHTETUTSHMËRISHT NUK MUNDEN”, ka shkruar Durim Berisha në një analizë të publikuar në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’ më 26 mars të vitit 2020.
Në analizë e sipër Berisha përmed edhe alternativën se presidenti i Kosovës mund të shpërndajë Kuvendin në rast të rrëzimit të qeverisë nga një mocion mosbesimi, megjithatë këtë hërë nuk përmend fare detajin që nuk përjashtohet mundësia që presidenti të provojë edhe krijimin e një qeverie të re duke shfrytëzuar legjislaturën ekzistuese.
“Dispozita kushtetuese (neni 82.2) të cilës i referohen shumica duhet të interpretohet – ajo nuk duhet vetëm të lexohet – e aq më tepër të komentohet në mënyrë të gabuar dhe të deformuar.Republika e Kosovës nuk ka një rend kushtetues i cili është produkt i proceseve historike politike dhe kushtetuese të saj, por është pjesërisht produkt i propozimit Ahtisaari dhe pjesërisht e kopjuar shumë dobët nga kushtetutat e shteteve tjera. Në dritën e këtyre fakteve fjala kyçe e nenit 82.2 të Kushtetutës e cila thekson se presidenti “Kuvendi MUND të shpërndahet nga Presidenti i Republikës pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, nuk është dispozitë alternative, por është dispozitë lejuese”, thuhet në analizën e Berishës të titulluar “ Zgjedhjet janë opsioni i vetëm ” raporton Gazeta Express.
E interpretimin e dytë të Berishës e ka shfrytëzuar edhe kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, në analizën e tij për situatën e krijuar në vend pas votimit të mocionit. Edhe sipas Kurtit, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
Gjithë këto diskutime tashmë po bëhen kur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do të fillojë konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje të reja. Një gjë të tillë po e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, i cili u rrëzua nga mocioni i LDK’së i cili mori përkrahjen e 2/3-ave të Kuvendit të Republikës së Kosovës./GazetaExpress/