Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Republikën e Kosovës, do të mbahen me 14 shkurt 2021, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet e nevojshme. Për verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë dhe certifikimin e tyre, përgatitjet që po bën KQZ-ja, procesin e verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës, për votimin e personave të infektuar me COVID-19, pjesëmarrjen e vëzhguesve dhe procedura të tjera, në një intervistë për Telegrafin ka folur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Elezi ka thënë se organizimi i këtyre zgjedhjeve ka qenë sfidë, për shkak se janë zgjedhje të parakohshme dhe të gjitha organizimet të cilat do të merrnin muaj për t’i përgatitur, tani duhet të bëhen brenda 40 ditëve, ndërsa theksoi se po bëjnë të pamundurën që ditën e zgjedhjeve të shkojë gjithçka mirë.
Zëdhënësi i KQZ-së sqaroi procedurën e certifikimit të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, e cila siç tha ai pritet të përfundoj deri më 31 janar.
Ata i janë drejtuar gjashtë institucioneve, për të verifikuar listat e kandidatëve për deputetë, nga të cilët presin përgjigje deri të mërkurën.
“Ne po presim që përgjigje nga institucionet përkatëse të marrim deri më 20 janar. E kemi specifikuar që përgjigje të marrim të paktën deri në ora 12:00, pra më 20 janar. Po shpresojmë që ata të na përgjigjen gjatë kësaj kohe, në mënyrë që KQZ-ja të vazhdojë me certifikimin e kandidatëve ose jo”, tha Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot zyrtarisht i është drejtuar gjashtë institucioneve për verifikim të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Edhe nëse këto institucione do të kthejnë përgjigje deri më 20 janar, procedura mund të vazhdojë deri më 31 janar, për shkak se janë edhe dy institucione të tjera, në të cilat kandidatët që nuk certifikohen, kanë të drejt ankese.
“Në momentin që nga kandidat nuk certifikohet, mund të bëjnë zëvendësimin e tyre. Nëse një kandidat nuk certifikohet, kandidati ka të drejt ankese në PZAP, i cili institucion duhet t’i përgjigjet kësaj ankese në një afat prej 72 orësh. Nëse, kandidati do të ishte i pakënaqur, ka mundësi që brenda 24 orëve t’i drejtohet Gjykatës Supreme, kjo gjykatë ka prapë një afat prej 72 orëve. Të gjitha këto procedura presim të përfundojmë me 31 janar, në mënyrë që me 1 shkurt, KQZ-ja të ketë kohë të tërheq shortin dhe tu mundësojë fillimin e fushatës zgjedhore”, sqaroi Elezi.
Elezi ka treguar se këto shkresa kanë shkuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, nga të cilët presin përgjigje deri në mesditën e 20 janarit.
Ai po ashtu gjatë kësaj interviste ka folur edhe për mundësinë për të votuar që kanë qytetarët e infektuar me COVID-19 dhe për punën në qendrën e thirrjeve ku po bëhet verifikimi i aplikacioneve të votuesve jashtë Kosovës.