Kryeministri në detyrë Albin Kurti në konferencën për medie së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, kanë njoftuar se nga e mërkura (1 prill), do të filloj të aplikohet masa e reciprocitetit ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kurti tregoi se vendimi do të merret sonte në mbledhjen e Qeverisë, e që pritet të zgjasë deri pas orës 22:00.
“Sot është një ditë e veçantë, meqë Qeveria e Kosovës, po mbanë një mbledhje për një çështje shumë të rëndësishme, për batimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, theksoi ai.
E këto emërtime do të përdoren në dokumente si certifikata hidro-sanitare, për produktet ushqimore dhe jo-ushqimore me përmbajtje jo-shtazore që i nënshtrohen kontrollit hidro-sanitare në kufi dhe certifikata hidro-sanitare për produktet ushqimore dhe jo-ushqimore që i nënshtrohen kontrollit sanitar në kufi.
Ky vendim duhet të zbatohet nga kontrollet kufitare, Dogana, Policia e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për produkte dhe pajisje mecinale dhe institucionet e tjera.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti bëri të ditur se tarifa 100 për qind ndaj produkteve të Bosnje e Hercegovinës do të hiqet plotësisht.
“Me Bosnje e Hercegovinën do ta heqim plotësisht tarifën 100 për qind, nuk do ta trajtojmë sikur Serbinë”, tha Kurti.
Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, tha se ky vendim është i bazuar në shumë argumente që janë punuar brenda Ministrisë me grupin punues, që ka përfshirë shumë akterë vendorë duke përfshirë Doganën, Odat Ekonomike, Klubin e Prodhuesve, Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë, ku të gjithë së bashku nga data 20 shkurt kanë punuar deri më tani duke identifikuar të gjitha barrierat që i kanë në raportet tregtare me Serbinë, dhe se aty shprehen shumë barriera.