Anulohet kampionati i basketbollit në Kosovë për shkak të koronavirusit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka njoftuar se ka vendosur që të anulohet kampionati i basketbollit. Ky vendim është marrë nga Bordi i FBK-së.

Lajmin e ka bërë të ditur Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Sot u detyrova që t’ia paraqes Bordit të FBK-së vendimin më të dhimbshëm të këtij mandati – atë të anulimit të garave të Superligave të Kosovës. Në kohë si kjo, kur vendi jonë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit dhe më gjerë duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit, dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në këtë frymë, Bordi i FBK-së ka vendosur sot njëzëri që të anulojë garat e edicionit 2019/20 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave në basketboll “.