Presidenti i vendit nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës së kryeministrit për koordinim në politikën e jashtme, tri javë pasi Albin Kurti i ishte drejtuar me shkresë. Qeveria, por as Presidenca nuk janë deklaruar përkitazi me bashkëpunimin dhe temat për të cilat synojnë t’i koordinojnë veprimet.
Në letrën e tij, Kurti i pati shkruar Thaçit se politika e jashtme është ajo që do të duhej t’i bashkonte, teksa i kërkonte të takohen e dakordohen së bashku për temat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tema kryesore e politikës së jashtme është dialogu Kosovë-Serbi. Thaçi insiston që rolin prijës ta kenë Shtetet e Bashkuara dhe emisarët e caktuar nga presidenti Trump. Madje emisari Richard Grenell, së fundi ndërmjetësoi disa marrëveshje për hapësirën ajrore e hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takim ishte presidenti Thaçi, teksa Kurti mungoi, ndërsa më vonë deklaroi se nuk ka qenë i informuar për marrëveshjet që do të nënshkruheshin.
Pa takim paraprak të raportuar zyrtarisht, Kurti së fundi realizoi një vizitë në Londër e presidenti Thaçi qëndroi në Shtetet e Bashkuara. Ky i fundit ka vazhduar me kritika ndaj Bashkimit Evropian, teksa ka kërkuar që SHBA-ja ta ruajë fokusin në Kosovë dhe në rajon.