Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me interpretimin e deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për thirrje për moszbatim të vendimit qeveritar lidhur me kufizimin e lirisë së lëvizjes.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherë anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se presidenti me veprimin e tij ka bërë shkelje të aktit më të lartë juridik.
”Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të presidentit të Kosovës me 23 mars i cili bëri thirrje për rezistencë qytetare respektivisht për moszbatim të vendimit të qeverisë në lidhje me masat emergjente të adresuar për të menaxhuar situatën me COVID- 19”, tha Nagavci.
Presidenti Thaçi pati kundërshtuar masat e vendosura nga qeveria për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Ai pati thënë se ‘qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, pati thënë Thaçi.
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të interpretojë kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë luftimi kundër COVID-19.