Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shpallur kandidaturën e tij për mandatin e dytë në krye të kësaj komune të cilën dhe aktualisht e drejton.
Sipas tij, kjo po ndodhë për shkak të mungesës së konfirmimit të kësaj kandidature të tij, nga ana e Kryesisë dhe ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
”Unë, Ramiz Lladrovci, shpall kandidaturën për mandatin e dytë në krye të komunës së Drenasit!
Për mungesë të konfirmimit të kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, nga ana e Kryesisë dhe U.D. të kryetarit të PDK-së, shpall kandidaturën time si kandidat për kreun e komunës së Drenasit, edhe për një mandat!
Çështjen e mandatit të dytë, e kam trajtuar në takim me liderin tonë, në fund të shtatorit me z. Veseli, gjatë promovimit të punës time si “kryetari me performancën më të mirë në Kosovë”. Në atë kohë, kam cekur se as tre muaj e as gjashtë muaj, nuk janë të mjaftueshëm për përgatitje të zgjedhjeve lokale.
Kam pasur zotime për sigurinë e kandidaturës time për mandatin e dytë në Degën e Drenasit dhe në Kryesi të PDK-së. Ky zotim pritej të formalizohej gjatë nëntorit të kaluar nga Kryetari Veseli. Për fat të keq, ndodhi goditja e rëndë për të gjithë neve, Haga.
Pas nëntorit, Dega e PDK-së në Drenas me disa keqbërës jo vetëm nga dega në Drenas por edhe më gjerë, filluan të mohojnë emrin tim si kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit. Kishte të tillë që deklaronin se dega nuk e duron kryetarin e komunës që nuk është i dëgjueshëm. Madje, pati edhe një distancim publik nga anëtarët e kryesisë së Degës për mua dhe punën time”.