Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në Pozharan të Vitisë, ku brenda një familje ka ndodhur një vrasje e katërfishtë – motivet e së cilës ende nuk i dinë as nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani bashkë me nënkolonelin, Remzi Azemi, dolën bashkë në një konferencë për media ku treguan se janë në fazën e parë të hetimeve.
“Stacioni policor në Viti është njoftuar rreth orës 18:00 se kanë dëgjuar të shtëna armësh. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje ku janë njoftuar të gjitha njësitë relevante që me urgjencë kanë ndalur në vendin e ngjarjes dhe fatkeqësisht bëhet fjalë për një ngjarje tragjike. Kjo vrasje e katërfishtë na ka trondit të gjithëve, jo vetëm fshatin”, tha Hashani.
Nënkoloneli Azemi dha pak detaje teksa ritheksoi se janë në fazën fillestare të hetimeve dhe janë duke ekzaminuar çdo dëshmi që mund të lidhet me ngjarjen.
“Kemi filluar me ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe dëshmitarët e mundshëm rreth rastit. Fokusi jonë ka qenë ekzaminimi i vendit të ngjarjes që të gjejmë çdo dëshmi nga vendi i ngjarjes. Ekipet ende janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe jemi në fazën fillestare të hetimeve”.
“Nga hetimet e para mund të them se tre viktima kanë qenë brenda shtëpisë dhe një viktimë në oborrin e shtëpisë”.
“Dyshimi fillestar është që kryefamiljari brenda shtëpisë ka vrarë gruan dhe dy fëmijët e tij dhe në kopsht ka vrarë vetën – e gjithë kjo mbetet dyshimi fillestar nga hetimet që janë duke u bërë”.
“Ende nuk kemi informacione rreth motivit të kësaj ngjarje. Por ne kemi angazhuar edhe hulumtues që të intervistojnë dëshmitarë rreth ngjarjes që ka ndodhë”.
“Nuk kemi ndonjë informacion që në vendngjarje ka pasur ndonjë dëshmitar tjetër”.
Azemi mes tjerash njoftoi se familja Zuka nuk ka asnjë rast të raportuar në Polici, por se do të kërkojnë bashkëpunim edhe nga oraganet në Zvicër – ku jetonin viktimat.
“Në polici nuk ka pasur asnjë rast të raportuar rreth ndonjë problemi që ka mundur të ketë kjo familje”.
“Ende s’kemi informacione në lidhje me motivin e ngjarjes. Ne kemi nisur intervistimin e dëshimtarëve, por s’kemi detaje rreth deklaratave të tyre. Do të kërkojmë po ashtu bashkëpunim edhe nga shteti evropian ku kanë jetuar”, tha ai.