Hoti flet si kandidat për kryeministër: Jemi favorit për të fituar zgjedhjet, bazuar në punë e jo në fluska

LDK-ja e ka caktuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e reja që do të mbahen së shpejti në vend.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë.

Lidhur me këtë, Hoti është shprehur mirënjohsë për besimin që partia e tij i ka bërë punës së Qeverisë.

“Jam tepër i kënaqur që LDK-ja i ka bërë vlerësimin punës së qeverisë. Është arritur të bëhet një punë e jashtëzakonshme. Mbi bazën e kësaj jam mirënjohës për besimin që e kam marr të plotë që të jem kandidat i LDK-së për këto zgjedhje”, tha ai.

“Besoj që gjatë këtyre muajve kemi dhënë evidencë të fortë në gjërat kryesore nga sundimi i ligjit, kthimi i partneritetit, luftës së jashtëzakonshme kundër pandemisë. Ditëve të ardhshme do të dalim me ofertën”.

Hoti është shprehur i sigurt që LDK-ja është favorite në këto zgjedhje.

“Jam i bindur që ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje, bazuar në punën e kësaj qeverie, e jo në fluskat që i dëgjojmë poshtë e lartë”.