Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, ka gjetur vendin në këtë fundvit pa miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2021.
Lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se, të hënën e 28 dhjetorit do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e tij.
Kjo seancë u ftua me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve, ku Lidhja Demokratike e Kosovës, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja.
Edhe vetë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, Bashkimi Evropian dhe komuniteti i biznesit kanë kërkuar që të votohet buxheti para se vendi të shkojë në zgjedhje.
Hoti ka thënë se, nuk duhet të filloj viti 2021 pa miratimin e Projektbuxhetit.
“Presim nga të gjitha grupet parlamentare pa asnjë përjashtim. Jemi në një situatë tani specifike, në prag të zgjedhjeve, nuk është mirë të hyhet më në janar pa buxhet të miratuar. Një draft-buxhet i përgatitur në mënyrë më të mirë mundshme është në Kuvend. Le të urdhërojnë grupet parlamentare nëse kanë sugjerime të ndryshme për të bërë ndryshime në atë draft buxhet dhe ta miratojnë”, kishte deklaruar Hoti, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për miratimin e buxhetit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë BE-ja.
Për miratimin e tij, komunitetit të biznesit, ka thënë se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19.
“Duke i ditur vonesat historike në konstituimin e institucioneve pas tri zgjedhjeve të fundit, në 2019, 2017 dhe 2014 dhe faktin që Kosova ka dispozita kalimtare që lejojnë për aranzhime të kufizuara buxhetore në vitin vijues, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që para shpërbërjes së Kuvendit të arrijnë dakordim për kalimin e Projektligjit të Buxhetit për Vitin 2021. Në të kundërtën, pasojat në vitin 2021 do të ishin të rënda, jo vetëm në bllokimin e mundshëm të punës së administratës publike, në rast të vonesës eventuale në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, por edhe të vonesës në zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike për sektorin privat dhe qytetarët e vendit”, ka thënë për Telegrafin, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Kosovës, Arian Zeka.
Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin për Buxhetin 2021 në Kuvend, por nuk është votuar ende. E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2.4 miliardë euro. /Telegrafi/