Mustafa: Sondazheve të Vetëvendosjes u besoj po aq sa përrallave

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk iu beson fare sondazheve të Lëvizjes Vetëvendosje apo atyre të porositura nga kjo parti. Madje Mustafa ka thënë se iu beson këtyre sondazheve po aq sa përrallave.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se është i bindur se LDK-ja do të dal fituese.

“Unë mendoj që rrëzimi i Qeverisë nuk mund të jetë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Nuk i ka zgjedhur Qeveria Hoti deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata i ka certifikuar një organ krejtësisht tjetër KQZ-ja. Ata kanë dhënë betimin në Kuvend. Është betuar edhe deputeti të cilit i është kontestuar vota dhe askush në atë kohë nuk ka thënë që ky nuk është deputet dhe nuk ka votë valide. Ka votuar gjithmonë dhe askush nuk ia ka kontestuar votën e tij. Prandaj nuk është kjo çështje e Qeverisë. Është dashur të jetë çështje e Kuvendit dhe e KQZ-së. Dhe në këtë rast vetëm pasojat janë në Qeverinë Hoti sepse rrjedhimisht asaj po i përfundon mandati për një shkak që nuk është pasojë e sjelljes së saj. Sa i përket zgjedhjeve unë jam shumë i bindur që ne do të dalim mirë. Si LDK nuk iu besoj fare, sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve, por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka shtuar se nëse votuesit gjejnë korrupsion te Qeveria Hoti atëherë do ta dënojnë atë, e nëse gjejnë edhe te Qeveria Musafa e viteve 2014-2017, atëherë po ashtu do ta dënojnë. Mirëpo, Mustafa thotë se sa ka qeverisur LDK-ja vendi është ndjerë më së miri me programe ekonomike dhe me koncept të zhvillimit ekonomik.

“Nëse votuesit gjejnë te Qeveria Hoti korrupsion do ta dënojnë Qeverinë Hoti. Nëse do ta gjejnë te Qeveria ime e vitit 2014-2017 korrupsion do të na dënojnë. Mirëpo nëse gjejnë se ne nuk kemi punuar mirë sa i përket zhvillimit ekonomik prapë mos të na japin votën, por jam i bindur që në kohën që kemi qeverisur ne si LDK edhe në periudhën 2014-2017 edhe tani vendi është ndjerë më së miri me programe ekonomike dhe me koncept të zhvillimit ekonomik”, deklaroi Mustafa.

I pyetur se kur do të shpallë kandidaturën me emra për kryeministër të ardhshëm të vendit, Mustafa tha se nuk kanë diskutuar ende në parti.