Hoti e quan serioze situatën me koronavirus, paralajmëron testime edhe në dy qendra tjera

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjendja me pandeminë në Kosovë është serioze, por e menaxhueshme.

Ai, të martën mbrëma në një konferencë për media, ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre për shkak të COVID-19.

Hoti ka thënë se në Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka rritur deri në dymijë numrin e testeve ditore. Tha se do të vazhdohet të rritet ky numër.

“Nga java e ardhshme do të bëhen testime në së paku dy rajone tjera”, ka shtuar Hoti.

Hoti ka thënë se sipas të dhënave grupmosha më e prekur nga pandemia është 30-40 vjet, për shkak se janë më aktiv.
 

“Numri më i madh është në sektorin e Shëndetësisë, kjo tregon për punën e madhe që po e bëjnë ata. Gjatë këtyre dy javëve të masave është stabilizu numri i të infektuarve. Pasi që numri i të shëruarve është më i madh se sa ai i të prekurve. Në bazë të vlerësimit të IKSHPK, ne e kemi vendosur nën kontrollë pandeminë”, ka thënë Hoti. “Sugjerimi i Institutit është që masat të mbahen dhe të jetë rigoroz zbatimi i tyre. Nesër në ora 8:30, do të kemi takim, me të gjitha inspektoratet. IKSHPK dhe SHSKUK kanë punuar shumë për të siguruar vaksinën antiCOVID. Po punojmë në disa fronte në këtë”.

Hoti e ka falënderuar SHSKUK-në për furnizim me barna.

“I kemi ngritur kapacitetet dhe nuk kemi probleme për furnizim me të gjitha barnat”, ka thënë Hoti.