Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i cili ka dalë si fitues i zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, ka thënë se tani e tutje Llapi dhe Gollaku do të frymojnë lirshëm nën drejtimin e tij.
Në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet në Kuvend, Bulliqi ka thënë se qytetarët e Komunës së Podujevës e lanë pas një pushtet i cili për 20 vjet nuk arriti t’i realizojë as për së afërmi kërkesat e qytetarëve, njofton Klan Kosova.
“Dje ishte ditë zgjedhore në Llap, andaj më lejoni që t’i përgëzoj të gjithë qytetarët e Llapit dhe Gollakut për një fitore mahnitëse dhe për sjelljen e ndryshimit pas 20 vjetëve atje”.
“Ishte një ditë e veçantë për arsye se dje ishte një ditë e ndryshimit ku e lamë pas një pushtet i cili për kaq vjet nuk arriti as për së afërmi t’i realizoj kërkesat e tyre”.
“Prandaj nga dje, Llapi dhe Gollaku do të frymojë lirshëm. Nga këtu shfrytëzoj rastin që t’i përshëndes të gjithë qytetarët”.
Shpejtim Bulliqi ka ironizuar me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashin, duke e falënderuar për asfaltin e shtruar nëpër disa rrugë në komunën e Podujevës.
“Nesër si kryetar i Podujevës do të jem një kryetar i cili do të punoj shumë dhe fuqishëm dhe do t’i trajtoj barabartë të gjithë qytetarët – kjo ju ka munguar shumë atyre për një kohë të gjatë dhe unë zotohem se do ta bëj punën me ndershmërinë më të lartë”.
“Besoj që prej dje, qytetarët e Llapit dhe Gollakut do ta ndjejnë dorën e barabartë të pushtetit të tyre lokal”.