Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shqiptuar gjoba në vlerë 48.375 euro për bizneset transportuese në Prishtinë, që nuk kanë printuar kuponë fiskalë apo që nuk i kanë pasur të instaluara pajisjet elektronike.
Sipas një njoftimi nga ATK-ja, gjatë ditëve të fundit është zhvilluar verifikimi i bizneseve me veprimtari transportuese, nëse janë duke vepruar konform dispozitave ligjore për pajisje me arka fiskale dhe lëshim të kuponëve fiskalë.
“Gjatë aksionit janë inspektuar 41 biznese, ku si rezultat 34 prej tyre kanë qenë të fiskalizuara, 20 prej tyre nuk kanë printuar kuponë fiskalë, ndërsa 7 të tjera nuk kanë pasur të instaluara pajisjet elektronike fiskale. Nga konstatimet e bëra në terren janë lëshuar 221 gjoba mandatare, në vlerë prej 48.375 euro”, thuhet në njoftim. ATK-ja njofton se verifikime të tilla do të ketë në vazhdimësi.
“Aksionet e ngjashme do të zhvillohen edhe ditëve në vijim, në mënyrë që gjithë tatimpaguesit të kenë trajtim të barabartë nga ATK gjatë zbatimit të Legjislacionit Tatimor”, thuhet tutje në njoftim e ATK-së për media.