Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti mori pjesë sot në konferencën për lansimin e rezultateve të Anketës Globale të Treguesve të Shumëfishtë 2020. Anketën ai e cilësoi si ndihmë konkrete që meriton vlerësim, ngaqë krijon pasqyrë të detajuar jo vetëm për fëmijët, por për mbarë shoqërinë tonë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me tërë potencialin e vet të punojë për t’u siguruar fëmijëve tanë, pa dallim etnie, ngjyre e besimi, të gjitha mundësitë që t’i jetojnë dhe t’i shijojnë të drejtat që u takojnë dhe u garantohen edhe me legjislacionin në fuqi” , theksoi Kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti, poashtu theksoi se, ne si komb, kemi arsye të veçantë të krenohemi me nobelisten tonë të paqes, Nënën Terezë, pasi që ajo, në Kalkutën e largët punoi me vullnet dhe sakrificë të jashtëzakonshme për fëmijët dhe njerëzit e tjerë të braktisur të atij vendi. Sipas shëmbëllimit të saj, le të punojmë të gjithë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të mbarë botës, tha Kryeministri Hoti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti në konferencën për lansimin e rezultateve të Anketës Globale të Treguesve të Shumëfishtë 2020
E nderuara znj. Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së në Kosovë,
I nderuari z. Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë,
I nderuar z. Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF,
Z. Ilir Berisha, zv.kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që, në këtë ditë të rëndësishme për fëmijët dhe për mbarë shoqërinë njerëzore, t’ju shpreh përgëzimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht për punën e rëndësishme që keni bërë!
Anketa Globale të Treguesve të Shumëfishtë 2020 (MICS), është një ndihmesë konkrete që meriton vlerësim, sepse na krijon një pasqyrë të detajuar jo vetëm për fëmijët, por për mbarë shoqërinë tonë. Institucionet e Republikës së Kosovës do t’i vlerësojnë me kujdes të dhënat që ka nxjerrë në pah kjo anketë, në mënyrë që të drejtat e garantuara të fëmijëve të mos mbesin vetëm në letër, por të përfshihen në spektrin e ngushtë të prioriteteve nacionale të vendit.
Fëmijët janë e ardhmja e njerëzimit dhe ne e kemi borxh që jo vetëm të punojmë për ta sot, por të mendojmë edhe për të ardhmen e tyre të sigurt. Anketimet e tilla janë të dobishme, pasi që na e paraqesin perspektivën reale të gjendjes në terren. Si të tilla, ato na mundësojnë që të krijojmë një vizion edhe më të qartë për të ardhmen.
Agjencia e Statistikave e Kosovës, UNICEF-i dhe partnerët e tjerë të përfshirë në këtë projekt na kanë ofruar një tablo me shumë vlerë, nga e cila ne si Qeveri, por edhe institucionet joqeveritare dhe shoqëria civile në përgjithësi, mund të marrim informacione të rëndësishme për hartimin e politikave tona për të ardhmen.
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj
Përtej obligimeve që janë sanksionuar qoftë në Deklaratën për të Drejtat e Fëmijëve të vitit 1959, qoftë në Konventën për të drejtat e fëmijëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 20 nëntorit 1989, Dita Botërore e të Drejtave të Fëmijëve duhet të jetë përherë një këmbanë alarmi për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, në mënyrë që ta mbajë të zgjuar ndërgjegjen njerëzore për padrejtësitë dhe shkeljet e rënda që edhe sot u bëhen mijëra fëmijëve të globit.
Mungesa e kushteve elementare të jetesës, mungesa e ushqimit dhe e higjienës, si dhe mungesa e perspektivës për zhvillim dhe edukim janë një realitet i hidhur, me të cilin ende ballafaqohen fëmijë të shumtë në vende të ndryshme të botës. Fatkeqësisht, jo rrallë, fëmijët i shohim se si instrumentohet dhe vihen në ballë të luftërave dhe konflikteve të armatosura. Kështu, në vend se në mjediset shkollore, ata i kalojnë ditët në fronte lufte, ndërsa në vend të librave, në duar mbajnë armë!
Në këtë ditë të veçantë, le të frymëzohemi nga veprat e mira të njerëzve të shquar, të cilët, në kohë e rrethana të ndryshme të historisë njerëzore, na kanë dhënë modele të ndritshme të punës dhe të sakrificës për njerëzit nevojtarë, e sidomos për fëmijët. Ne si komb, kemi arsye të veçantë të krenohemi me nobelisten tonë të paqes, Nënën Terezë. Ajo, në Kalkutën e largët, punoi me vullnet dhe sakrificë të jashtëzakonshme për fëmijët dhe njerëzit e tjerë të braktisur të atij vendi. Sipas shëmbëllimit të saj, le të punojmë të gjithë për ta ardhmen e fëmijëve tanë dhe të mbarë botës!
Të drejtat dhe liritë e garantuara me konventa e me akte të tjera, të mos mbeten vetëm fjalë në letër, por të shndërrohen në zotim për secilin prej nesh!
Në fund, duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese të mëtejmë, dua të ritheksoj fuqishëm se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me tërë potencialin e vet të punojë për t’u siguruar fëmijëve tanë, pa dallim etnie, ngjyre e besimi, të gjitha mundësitë që t’i jetojnë dhe t’i shijojnë të drejtat që u takojnë dhe u garantohen edhe me legjislacionin në fuqi.