Xhavit Haliti, nënkryetari i PDK-së, ka mohuar raportimet se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.
Haliti e ka bërë demantimin përmes një postimi në Facebook:
“Nuk është e çuditshme se si gëzohen smirëzinjtë. Por, fatkeqësisht dua t’i mërzisë ata, që të gjithë zëdhënësitë e Radio Moskës e të Sputnikut, ndërsa t’i gëzoj miqtë e mi, që u shqetësuan me lajmin e lajmëtarëve të Radio Moskës e Radio Serbisë”.
“Po ju njoftoj që as s’kam marrë ftesë dhe as s’më kanë ftuar me telefon”, ka thënë ai.
Edhe PDK e ka quajtur si të pavërtetë lajmin se nënkryetari Xhavit Haliti është ftuar nga Dhomat e Specializuara.
“Nuk është i vërtetë lajmi i publikuar në media se nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti është ftuar nga Dhomat e Specializuara. Intervista e tij e dhënë për një medium në Tiranë, është keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit. Nënkryetari Haliti konfirmon zyrtarisht se nuk ka kurrfarë ftese dhe po i vazhdon normalisht detyrat e tij partiake”, thuhet në njoftimin e PDK-së.