Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të votojë kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Ajo deklaroi po ashtu se është kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it.
“Nuk pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më pak në këtë kohë. Zëri i qytetarëve sot nuk është dëgjuar. Jam kundër çdo marrëveshje me PAN-in, dhe nuk e thyej besimin e qytetarëve me asnjë çmim, pra do të votoj kundër mocionit”, tha Osmani.
Fjala e plotë e kryeparlamentares Osmani në Kuvend:
“Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe nepotizmin. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të pakohë, sepse konsideroj se, duke e votuar mocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim. As shqetësimi mbi mbajtjen e tarifës nuk ekziston më, ngase qeveria ka marrë vendim për largimin e saj. Sot ju ndjeheni të lodhur dhe të fyer. Kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas,, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, unë sot nga kjo foltore, por nesër nga një dritare e vogël në LDK, nga një dritare virtuale në rrjetet sociale e nga dritarja e banesës sime të vogël do ta kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por nëse dikush ka të drejtë morale dhe legjitime që të flasë në emrin e elektoratit të LDK-së, jam unë Vjosa Osmani. Në zgjedhjen e fundit të 6 tetorit, unë isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di kontratën që e kemi bërë si parti me elektoratin e LDK-së dhe ajo ka qenë: jo koalicion me PAN-in. Si politikane që ka konsistencë në qëndrimet e saj, unë jam kundër çdo marrëveshje me këto parti, unë nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim.
Në çdo lagje, fshat e qytet, në palestra e amfiteatro, kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin “BESO”, sepse vetë kam pasur bindje e besim te plotë, se do të angazhohemi për ndryshim të pushtetit dhe se partitë e PAN-it që e kanë shpenzuar edhe rezervën shtetërore, duke na sjell në pikë kritike e duke na rrezikuar mundësinë e menaxhimit të duhur të emergjencës shëndetësore, do t’i dërgojmë përfundimisht në opozitë. Unë Vjosa Osmani nuk kam kaluar asnjëherë në parti tjetër, unë kam qëndruar fuqishëm në parimet dhe platformën, të cilën e kam shpalosur para qytetarëve, në parimet strategjike të LDK-së: jo qeveri të PAN-it, jo qeverisje me PDK-në. Por, në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba.
E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse, sikur ka ndodhur mbrëmë me një mendjeshkurtër të partisë sime, i cili më akuzoi se qenkam duke e “tradhtuar” LDK-në dhe kërkoi largimin tim nga LDK-ja. Nëse mbrojtja e çdo pike të programit të LDK-së më bëka tradhtare, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj çdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë, secilës fjalë ama, që unë ua kam dhënë votuesve të mi, derisa disa prej bashkëpartiakëve të mi frikësoheshin t’u dilnin përpara, atëherë me krenarinë më të madhe do ta mbaj këtë “vulë të tradhtisë”. Por, unë nuk dua të merrem me erën që është duke u shuar. Unë do të veproj, ashtu sikur thoshte Doris Pak për dr. Rugovën, ndryshe. Ai vepronte ndryshe, vepronte në të mirën e përgjithshme, edhe kur e përqeshnin e bëheshin gati ta sulmonin.
Ashtu do të veproj edhe unë, që nuk jam veçse një ndjekëse këmbëngulëse e politikës së tij.
Si kryetare e Kuvendit kam bërë cdo gjë që vendi të mos vinte në këtë situatë, sidomos jo në kohë pandemie. Tash, kur jemi këëtu, unë do të votoj kundër mocionit, do të votoj për të ardhmen e vendit tim, ngase jam thellësisht e bindur se vendit i duhet solidaritet politik e moral, i duhet qeveri që është e zonja të përballet me pandeminë dhe jo me betejën për egot personale. Na duhet solidaritet njerëzor, institucional e moral me njëri-tjetrin. Na duhet bashkim, sepse vetëm kështu do të mund të dalim ngadhnjimtarë. Prandaj, unë do të votoj kundër çdo mocioni që e lë qoftë edhe një qytetar të vetëm pa ministër shëndetësie; që ia pret këmbët të varfrit e ia mbyt shpresën të lënguarit; që ia nxin jetën të papunit, e atij qytetari që në kohën e pandemisë globale detyrohet ta durojë egon tonë të sëmurë për pushtet. Do të votoj kundër, sepse kështu votoj pro shpresës për një të nesërme më të mirë, edhe nëse të sotmen e tyre ne po e përbuzim padrejtësisht, duke e shtyrë atë buzë greminës.
Unë do të votoj kundër sepse qëndroj fort mbi fjalën e dhënë për ndryshim; qëndroj pranë afro dyqind mijë njerëzve të cilët e votuan partinë time dhe mua si kandidate për kryeministre, qëndroj fort mbi shpresën e njerëzve që s’dorëzohen kurrë dhe që do ta rikthejnë këtë shpresë, të cilën ne padrejtësisht po duam t’ua vrasim. Për mua politika është mision e shërbim, nuk është mashtrim. Duke respektuar besen që ia kam dhënë qytetarit në zgjedhje, unë nuk votoj asnjë mocion që e rikthen PAN-in në qeveri”, tha ajo.