Telekomi i Kosovës ka konfirmuar se mjetet në llogari i janë zbrazur sot nga Dardafoni, megjithëse sipas kësaj ndërmarrje ka një marrëveshje mes Qeverisë dhe operatorit për shlyerje të borxhit.
Llogaria e Telekomit është bllokuar sërish dhe sipas njoftimit, tani rrezikohen 3.300 punëtorë për të mos marrë pagat.
“Telekomi i Kosovës goditet për herë të dytë nga Dardafon me zbrazje të llogarisë. Gjatë kësaj periudhe Qeveria e Kosovës ka zhvilluar takime intensive për ta bindur Dardafonin që të nënshkruajë marrëveshje, për të cilën tashmë ishin dakorduar në prani të kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit. Marrëveshja ishte që pagesa të bëhet në afat prej 24 muajsh, por si duket në fund nuk arritën ta bindin Dardafonin për nënshkrim të marrëveshjes ku këta fillimisht këta kanë bllokuar llogaritë, ndërsa sot edhe i zbrazen. Me zbrazjen e sotme të llogarisë, Dardafon fillimisht ka lënë pa paga 2.300 punëtorë të Telekomit dhe më shumë se 1.000 të Postës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Telekomit.
Telekomi ka humbur rastin në Arbitrazh me Dardafonin dhe si pasojë obligohet t’i paguajë dëmshpërblim rreth 26 milionë euro.
Dardafon nuk është deklaruar për ngjarjen e sotme.