KQZ-ja bëri rreth 370 mijë euro pagesa të paautorizuara në zgjedhjet e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka paguar rreth 370 mijë euro përtej buxhetit të planifikuar dhe në mënyrë të paautorizuar për angazhimin e stafit të përkohshëm në zgjedhjet e vitit 2019. Rritje enorme të numrit të stafit ka pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2017, krahasuar me ato të mëhershmet, raporton KOHA.

Mbështetur në dokumentet e brendshme të KQZ-së, të cilat i posedon “Koha”, si rezultat i zgjatjes së angazhimit përtej afateve të aprovuara, në mënyrë të paautorizuar është paguar stafi 159 mijë e 18 euro. Ndërsa, të angazhuarit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, janë paguar përtej buxhetit të planifikuar dhe aprovuar, 208 mijë e 957 euro.

Pagesat janë kryer pavarësisht faktit që nuk ka pasur raport të shkruar nga mbikëqyrësit nëse kontraktuesit individualë kanë kryer detyrat dhe nëse vlera e pagesës ka qenë reale për shërbimet e pranuara.

Në tri proceset e fundit të zgjedhjeve parlamentare, në vitet 2014, 2017 dhe 2019, angazhimi i stafit jo të përhershëm ka qenë i ndryshëm, si për nga numri ashtu edhe shpenzimet.

Organogrami për Zgjedhjet Lokale të vitit 2013, i referuar si standard, ka përcaktuar numrin e stafit jo të përhershëm në 171, ndërsa numri i stafit të angazhuar në vitin 2017 ka qenë 338. E në vitin 2019 ky numër është rritur në 345 të angazhuar.

Ka përcaktuar, po ashtu, që të angazhohen 220 trajnerë, numër ky që më 2017 është rritur në 332, kurse në zgjedhjet e 2019-s ka qenë 320.

Ndonëse angazhimi i stafit jo të përhershëm duhet të aprovohet nga KQZ-ja, anëtarët e saj kanë thënë se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe kanë ngritur dyshime për keqpërdorime.

“Arsyetimi gjithmonë ka qenë se ka pasur kërkesa ose është planifikim i dobët i sekretariatit ose ka munguar vendimmarrja nga ana e KQZ-së. Në çfarëdo arsye ky tejkalim nuk justifikohet. Këtu kemi shkelje të planeve, edhe ka bazë për prokurorinë që të zhvillojë hetime të mëtutjeshme. Pa vendime të duhura kemi tejkalim të buxhetit gati në vlerën 370 mijë euro”, ka deklaruar Alim Rama, anëtar i VV-së në KQZ.

Arianit Elshani nga PDK-ja kërkon planifikim të mirëfilltë të të gjithë administratës, me qëllimin që të kursehet paraja publike.

“Ajo çfarë kemi kërkuar gjatë tërë kohës ka qenë realisht miratimi i një organogrami i brendshëm në kuadër të KQZ-së dhe një planifikim i mirëfilltë i gjithë administratës me qëllimin e vetëm që të kursehet paraja publike dhe paratë e taksapaguesve, të mos keqpërdoren në rritjen e stafit jopermanent”, ka shtuar Elshani.

E Ibrahim Selmanaj nga AAK-ja thotë se kjo nuk arsyetohet.

“Nuk ka arsyetim, aty është bërë kompromis dhe marrëveshje mes përfaqësuesve të Administratës dhe Komisionit qendror zgjedhor që kanë qenë, edhe secili i ka pasur ambiciet e veta”, ka thënë ai.

Shkeljet në rastin e punësimeve janë evidentuar në raportet e brendshme të auditimit të KQZ-së, por edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Raportet që ka siguruar KOHA kanë rekomanduar që në të ardhmen të mos bëhen pagesa pa një raport vlerësues të mbikëqyrësve.

KQZ-ja vazhdimisht është kritikuar për stërzgjatje të procesit nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve.

“..Sidoqoftë përkundër të numrit të madh qoftë të trajnerëve, komisioneve, por në përgjithësi të stafit jopermanent, zakonisht KQZ-ja është shoqëruar me performancë të dobët në kuptim të punës që kanë kryer komisionarët që ka rezultuar në shumë raste me vendvotime që janë rinumëruar”, është shprehur Eugen Cakolli nga KDI-ja.

KQZ-ja nuk i ka bërë publike as nuk janë të vendosura në faqen zyrtare raportet financiare apo raportet e shpenzimeve për zgjedhjet e parakohshme të vitit 2019, por as për zgjedhjet e tjera.