Për herë të parë Prishtina do ta ketë indeksin e çmimit të pronave

Për herë të parë në Kosovë, duke filluar nga viti i ardhshëm bankat komerciale, agjentët e shitjes dhe kompanitë ndërtimore, do të kenë indeksin e saktë të çmimit të pronave në Prishtinë.

Kjo pasi Banka Qendrore e Kosovës ka filluar punën në këtë drejtim dhe planifikohet që ky aktivitet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Nga ky indeks i çmimit të pronave në Komunën e Prishtinë, do të dihet saktë çmimi i pronës, gjegjësisht metri katror për çdo lagje në Prishtinë.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), është duke punuar në indeksin e çmimeve të pronave. Qëllimi i këtij projekti është të mbledhim të dhëna me kualitet të lartë për çmimet e pronave në Komunën e Prishtinës dhe pastaj të ndërtojmë indeksin e çmimeve të pronave, të parin deri më tani në këtë fushë për vendin tonë”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmetaj për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se ky indeks do t’u ndihmojë të gjitha palëve të interesuara për patundshmëri.

“Indeksi do të ketë përdorim të brendshëm në BQK, por do të mund të përdoret nga shumë palë me interes, duke filluar nga bankat komerciale, agjentët e shitjes, kompanitë ndërtimore dhe për qëllime analitike. Planifikojmë që ky aktivitet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe tutje të jetë indeks i publikuar në baza të rregullta kohore”, ka thënë Ahmeti.