Hamza: Qeveria Hoti të jap dorëheqje, do ta votonim edhe mocionin e VV-së

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë sot se meqenëse nuk po kalon Projektligji për rimëkëmbje ekonomike dhe qeveria nuk po i ka votat, Qeveria Hoti të jap dorëheqje sepse shndërruar në pengesë për adresimin e çështjeve, sfidave dhe nevojave që ka vendi.

Hamza në Kuvendin e Kosovës tha se nëse Vetëvendosje e dërgon në Kuvend mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti atëherë do t’i ketë dhe 24 votat e PDK-së.

Ai kërkoi që të votohet një Projektligj i PDK-së, që ka pothuajse qëllimin e njëjtë me atë për rimëkëmbje ekonomike.

“Është një ligj që e ka qëllimin po thuajse të njëjtë me Projektligjin paraprak që nuk kalon që gjashtë seanca me radhë. Unë po i lus deputetët me përkrah këtë Projektligj, me kalu lexim të parë. Ato që janë të tejkaluara me i largu, ato që i ka Projektligji tjetër e nuk i ka ky me i shtu, e diçka që është e re me qenë pjesë e ligjit mes dy leximeve. Në të kundërtën nëse ku ka vota qeveria, publikisht e ftoi Qeverinë e Kosovës të jap dorëheqje sepse është shndërruar në pengesë për adresimin e çështjeve, sfidave dhe nevojave që ka vendi”, tha ai.

Hamza tha se me qëllim që të ketë seriozitet, ka ftuar Grupin parlamentar të Vetëvendosjes të punojë në drejtim të mocionit, raporton Telegrafi.

“… T’i bëjnë 40 vota edhe kryetarja e Kuvendit nëse është tu shpreh pakënaqësi t’i bashkëngjitet mocionit. Të sillet në Kuvend dhe në momentin kur bëhen 40 vota dhe krijohen kushtet me u hedhë në votim mocioni, PDK do të jep 24 vota për dhe krijohen kushtet që vendi të shkojë zgjedhje”, u shpreh ai më tej.

Sipas tij, situata aktuale është shndërruar në pengesë në ecjen para dhe adresimin e sfidave që ka vendi, pasi siç tha si ekonomia e Kosovës është duke u përkeqësuar. /Telegrafi/